Gjykatësi nën sanksione amerikane mund të jetë presidenti i ri i Iranit

Miliona iranianë votuan të premten për të zgjedhur presidentin e ri të vendit një garë që pritet ta fitojë një gjykatës i lartë i vijës së ashpër, i cili është subjekt i sanksioneve amerikane. Zgjedhjet zhvillohen në një kohë vështirësish të mëdha ekonomike e kufizim të lirive të iranianëve, probleme që mund të kenë detyruar një pjesë të popullatës t’i bindet thirrjeve për bojkot të procesit.

Zyrtarët e lartë iranianë kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje të madhe në këto zgjedhje të cilat shihen gjerësisht si një referendum ndaj mënyrës sesi autoritetet e kanë trajtuar situatën ekonomike në vend, shoqëruar me rritje të çmimeve, papunësi të lartë si dhe rënie drastike të vlerës së monedhës vendase.

“U bëj thirrje të gjithëve, pavarësisht pikëpamjeve politike të votojnë”, tha pas votimit kreu i gjyqësorit Ebrahim Raisi, kandidati kryesor në garë.

Ankesat e iranianëve janë reale, por nëse kjo është arsyeja për të mos marrë pjesë (në zgjedhje) kjo është e gabuar”, tha ai.

Ndërsa televizioni shtetëror tregonte radhë të gjata në qendrat e votimit në disa qytete, agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Farsi raportoi se deri në orën 7:30 pasdite kishin votuar 22 milionë ose 37% e zgjedhësve, duke cituar gazetarin e vet. Ministria e Brendshme iraniane tha se nuk mund të konfirmojë shifrat e pjesëmarrjes. Sipas mediave iraniane ministria vendosi për zgjatjen e procesit të votimin deri në mesnatë me orën lokale për shkak të atyre që u thanë se ishin “një numër i madh votuesish që prisnin në qendrat e votimit”.

Pasi votoi në kryeqytetin e vendit Teheran, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei u bëri thirrje iranianëve të ndjekin shembullin e tij, duke shtuar se “çdo votë ka rëndësi”.

Ebrahim Raisi, 60 vjeç, mbështetet nga “skifterët” e sigurisë në përpjekjen e tij për të pasuar Hassan Rouhani-n, i cili i ka kryer të dyja mandatet që parashikon kushtetuta si maksimumi që një zyrtar mund të shërbejë në këtë detyrë.

Mbështetur nga Trupat e Fuqishme të Gardës Revolucionare, zoti Raisi, një aleat i ngushtë i zotit Khamenei që është zotuar të luftojë korrupsionin, është subjekt i sanksioneve amerikane lidhur me përfshirjen e tij të dyshuar në ekzekutimin e të burgosurve politikë dekada më parë.

Shumë kandidatë për president ose u tërhoqën nga gara ose u skualifikuan para votimeve të së premtes.

Të mërkurën, dy kandidatë të vijës së ashpër u tërhoqën nga gara, duke i dhënë mbështetjen e tyre Ebrahim Raisit, një tjetër kandidat i vijës së ashpër dhe kreu i gjyqësorit iranian.

Në zgjedhje garon gjithashtu ish-shefi i Bankës Qendrore Abdolnasser Hemmati, një kandidat reformist.

Analistët politikë thonë se fituesi i mundshëm do të jetë 60 vjeçari Ebrahim Raisit, i cili ka mbështetjen e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Por përfshirja e tij në të kaluarën në raste të shkeljes së të drejtave të njeriut do ta bënte atë një president problematik për Perëndimin thotë analisti Behnam Ben Taleblu, i cili punon për fondacionin në Mbrojtje të Demokracive me bazë në Uashington.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *