Studim krahasues mbi potencialet turistike te Malit të Zi dhe Shqipërisë

Autori Nexhat Avdiu është paraqitur këto ditë para lexuesit me librin “Zhvillimi i turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi – mundësi bashkëpunimi ndërshqiptar dhe rajonal”. Libri përbën punimin e doktoraturës së autorit dhe është një studim krahasues mbi potencialet turistike të Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe mundësitë e shfrytëzimit të tyre për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të dy vendeve. Ai është i ndarë në gjashtë kapituj, që trajtojnë çështje të ndryshme që lidhen me objektin e studimit. Në kapitullin e parë autori paraqet një qasje teorike të turizmit si fenomen zhvillimor dhe prirjet e sotme të tij me ndikimin e tyre në hapësirën e marrë në studim, në kapitullin e dytë bën një analizë krahasuese të potencialeve turistike të Shqipërisë dhe Malit të Zi, në kapitullin e tretë jepet gjendja dhe zhvillimi turistik në Shqipëri dhe Mal të Zi, në kapitullin e katërt flitet për mundësitë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të turizmit, në kapitullin e pestë trajtohen problematikat e sotme dhe e ardhmja e zhvillimit turistik në Shqipëri dhe Mal të Zi, kurse në kapitullin e gjashtë strategjitë dhe politikat turistike me ndikimin e tyre në zhvillimin e përbashkët dhe të veçantë turistik të të dy vendeve. Në fund të librit, autori jep edhe përfundimet dhe rekomandimet e studimit të tij. Libri është mbështetur në një literaturë të pasur, ku bëjnë pjesë libra nga fusha e turizmit, strategji dhe dokumente të ndryshme planifikimi të dy vendeve, vjetarë etj. Në parathënien e librit, autori shprehet se punimi “Zhvillimi i turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi – mundësi bashkëpunimi ndërshqiptar dhe rajonal” synon të paraqesë rëndësinë që ka turizmi në të dy vendet përkrah degëve tjera të ekonomisë. “Detyra kryesore e studimit përqendrohet në njohjen sa më të plotë të potencialeve turistike që kanë të dy vendet dhe vlerësimin e tyre në ecurinë e zhvillimit turistik që kanë ndjekur të dy vendet, të ndikuar nga faktorët e ndryshëm, si dhe problemet dhe perspektivat e zhvillimit turistik që ato kanë, duke u fokusuar edhe në faktorin shqiptar si mundësi bashkëpunimi”, shprehet ai.Në recensionin e tij, redaktori shkencor Prof. dr. Dhimitër Doka vlerëson se ky libër “vjen në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, kur tashmë është e qartë për të gjithë roli prioritar i industrisë së turizmit në zhvillimin e ekonomisë së të dy vendeve (Shqipërisë dhe Malit të Zi) dhe shkalla e rëndësisë së tij në këtë zhvillim”.Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, kurse është shtypur në Shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Libri është botim cilësor dhe me lidhje të fortë. Redaktor shkencor i librit është Prof. dr. Dhimitër Doka, ndërsa redaktor teknik Gazmend Çitaku. Nexhat Avdiu ka kryer studimet e larta për gjeografi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1997. Po në këtë universitet ndoqi studimet master dhe të doktoraturës, duke fituar gradën shkencore “Doktor” në gjeografi në vitin 2012. Punon në Shkollën e Mesme të Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin. Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky është libri i tij i parë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *