UEFA i beson FSHF-së organizimin e ndeshjeve të turit paraeliminator të Ligës së Kampionëve

UEFA i ka besuar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSH) organizimin e tre ndeshjeve të turit para-eliminator të garës së Ligës së Kampionëve.

Shqipëria do të mirëpresë ndeshjet e këtij turi që do të luhen në datat 22-25 qershor 2021 në Durrës dhe në Elbasan. Më 22 qershor, në ora 20:00 do të nisë gjysmëfinalja e parë ESS Folgore (SMR) – FC Prishtina (KOS), që luhet në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.Po më datë 22 qershor dhe po në të njëjtën orë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit luhet edhe gjysmëfinalja tjetër HB Torshavn (FRO) – Int. Club d’Escaldes (AND).

Fituesit e dy çifteve do të përballen në finalen e këtij turi që do të luhet më datë 25 qershor, ora 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohet për në fazën tjetër.

Kësisoj, UEFA vazhdon t’i besojë FSHF-së organizimin e ngjarjeve të rëndësishme, duke marrë parasysh mirë-organizimin e ndeshjeve me rëndësi të madhe nga institucioni i futbollit shqiptar si dhe investimet e rëndësishme që janë bërë në infrastrukturë dhe në futboll përgjatë këtyre viteve.

Gjithashtu, kjo vjen edhe për shkak të lehtësimit të masave anti-Covid në Shqipëri dhe rënies së rasteve me këtë virus që bllokoi të gjithë botën për thuajse më shumë se një vit.

Ky lajm vjen pas një tjetër lajmi historik, siç është ai i organizimit të finales së garës më të re në futbollin evropian, UEFA Conference League, në stadiumin “Air Albania” në majin e vitit 2022.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *