Isa Mustafa: LDK-ja u ndëshkua pse prishi koalicionin me VV-në

Koalicionin do ta prishja edhe sot

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka folur për kohën e tij në krye të kësaj partie, por edhe për arsyet pse çuan në rezultatin më të dobët në histori të saj.

LDK-ja sipas rezultateve preliminare, ka marrë pak më shumë se 13 për qind, ndërkohë që VV-ja gati 48 për qind.

Mustafa thotë se LDK-ja pagoi çmimin për prishje të koalicionit me VV-në, gjë që thotë se do ta bënte edhe sot.

“Se është ndëshkuar, pse e kemi prishur koalicionin me VV-në, unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot. Ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK-ja ka zgjedhur partneritetin me SHBA-në. Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK-ja ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA, por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka shkruar se partia e tij ishte ndëshkuar për shkak se nuk iu nënshtrua propagandës siç thotë ai, të majtë, dhunës dhe presionit, ashtu siç nuk ishte nënshtruar nga Serbia në vitet ’90.

“Unë do të isha i lehtësuar po ta dija se pse qytetarët e ndëshkuan me votë LDK-në në këto zgjedhje”, ka shkruar ai ndër të tjera.

“Qeveria Hoti, ka sanuar relacionet e prishura me SHBA nga Qeveria Kurti si dhe relacionet me BE, të shkatërruara nga Qeveria Kurti dhe Haradinaj, ka nënshkruar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, ka menaxhuar me sukses pandeminë COVID-19 si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai thotë se ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, mirëpo nuk ka uruar votuesit e LDK-së që kanë kaluar në VV.

“Unë kam besim të plotë në njerëzit me të cilët kam punuar, në punën time të pastër që e kam bërë në LDK dhe në të gjitha detyrat tjera. Jam i bindur se dëmtimi i LDK-së me votat e fundit është krejtësisht i padrejtë dhe rezultat i propagandës populiste”, ka shtuar ai.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *