Ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, do të mbetet në burg. Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit.
Ata nuk e kanë pranuar garancën prej 10.8 milionë eurove, të cilën Mijallkov e ofroi për të dalë nga burgu, deri në vendimin e plotfuqishëm për rastin “Arka”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Vendimi i këtillë i Gjykatës së Apelit vijon pasi Prokuroria e Lartë tha mendim negativ që Mijallkov të mbrohet në liri, deri në vendimin e plotfuqishëm.
“Është konfirmuar vendimi i shkallës së parë, mbetet në fuqi masa e njëjtë”, thanë nga Gjykata e Apelit për “A1on”.
Garanca prej 10.8 milionë eurove u ofrua nga kompanitë që janë në udhëheqje të Mijallkovit, ndërsa fillimisht prokurori Artan Ajro, tha se kjo garancë është e mjaftueshme se Mijallkov nuk do të arratiset.
Ky i fundit u dënua me burg për përgjimet e paligjshme (rasti Shënjestra dhe Fortesa), si dhe në rastin Arka, që ka të bëjë me blerjen e paligjshme të sistemeve për përgjim.