Teksa bota po bëhet gati që të udhëtojë sërish, Evropa po dërgon një mesazh të qartë për migrantët: Qëndroni larg
Policia greke, duke lëvizur me mjete të blinduara, po lëshon një zhurmë shurdhuese në afërsi të kufirit me Turqinë. Autoritetet greke po vendosin në këto mjete një pajisje akustike, që shkakton zhurmë si të një motori të një aeroplani.
Kjo është pjesë e barrierave fizike dhe barrierave të reja eksperimentale digjitale, që po instalohen dhe testohen që disa muaj, në kufirin 200-kilometërsh ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, që kanë për qëllim ndalimin e hyrjeve ilegale në Bashkimin Evropian.
Një mur prej çeliku, që është i ngjashëm me murin e ndërtuar së fundmi në kufirin SHBA-Meksikë, bllokon pikat kaluese, që kryesisht janë përdorur për të kaluar Lumin Evros, që ndan këto dy shtete.
Në afërsi janë edhe kullat vrojtuese, që janë të pajisura edhe me kamera me rreze të gjatë, me mundësi që të xhirojnë edhe gjatë natës dhe kanë një sërë sensorësh. Të dhënat dërgohen në qendrat e kontrollit, për të parë nëse ka ndonjë lëvizje të dyshimtë përgjatë kufirit. Këto kontrolle bëhen duke përdorur analiza të inteligjencës artificiale. “Ne do të kemi një pasqyrë të qartë të kufirit për të parë se çfarë po ndodh”, tha për Associated Press, polici Dimonsthenis Kamargios, që udhëheq njësinë e policisë kufitare.
Bashkimi Evropian ka dhuruar tre miliardë euro në hulumtimet për teknologjinë në fushën e sigurisë, pas krizës me refugjatë më 2015-2016, kur mbi një milion persona – shumica prej të cilëve që po iknin nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan – shkuan në Greqi dhe më pas kaluan edhe në shtetet e tjera të BE-së.
Rrjeti i automatizuar i vëzhgimit që po ndërtohet në kufiri Greqi-Turqi, ka për qëllim që të detektojë migrantët dhe t’i parandalojë ata që ta kalojnë kufirin, ku do të ketë edhe patrullime në lumë dhe në vendkalimet tokësore, duke përdorur projektorë dhe pajisje akustike me rreze të gjatë veprimi. Elementet kryesore të këtij rrjeti do të lansohen në fund të vitit, tha Kamargios.
“Puna jonë është që të parandalojmë migrantët që të hyjnë ilegalisht në shtet. Për këtë gjë, ne na duhen pajisje moderne”, tha ai. Hulumtuesit në universitetet në mbarë Evropën, duke punuar me firmat private, kanë zhvilluar teknologji futuriste për vëzhgim dhe verifikim, dhe ka testuar dhjetëra projekte në kufijtë grekë.
Detektorët e gënjeshtrave, të bazuara në inteligjencën artificiale janë zhvilluar si dhe janë projektuar edhe intervistat në kufi të kryera përmes robotëve. Po ashtu janë shtuar përpjekjet për të integruar të dhëna satelitore me pamje nga dronët, nga toka, ajri dhe deti. Testimet për këto janë kryer në Hungari, Letoni dhe në vendet e tjera në lindje të BE-së.