Në Kosovë sot pritet të vijnë për vizitë zyrtare i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak dhe zëvendësndihmësi i sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjegjës për Çështje Evropiane dhe Çështje Euroaziatike dhe për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeut, Methju Pallmer, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Nga zyra e BE-së në Prishtinë njoftuan se Lajçak do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti, me zëvendëskryeministrin e parë përgjegjës për Integrime Evropiane, Besnik Bislmi dhe me zëvendëskryeministren e dytë dhe shefen e Diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla.
Gjatë qëndrimit dyditor, diplomati sllovak do të takohet edhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe me shefat e misioneve të BE-së në Kosovë.
Paraprakisht dhe ambasada amerikane në Kosovë e paralajmëroi vizitën e Palmerit dhe informoi se ai do të takohet me krerët më të lartë shtetërore, me të cilët do të bisedohet “për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve”.
Në kumtesën e zyrës së BE-së theksohet se Lajçek dhe Palmer do të informojnë për rrjedhën e vizitës përmes një konference të përbashkët për media, të cilën do ta mbajnë nesër në selinë e misionit të BE-së në Prishtinë.
Vizita e përfaqësuesve të BE-së dhe të SHBA-së përgjegjës për Ballkanin Perëndimor ndodh në vigjilje të vazhdimit të paralajmëruar të dialogut për zgjidhjen e kontesteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të mbahet gjatë muajit qershor në Bruksel, me takim të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.