Mbledhja e qeverive Kosovë-Maqedoni pritet të mbahet këtë verë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi thotë se përmes kësaj mbledhjeje duhet të dëshmohet bashkëpunimi rajonal.

Bytyqi në një intervistë për KosovaPress, thekson përkrahjen e Maqedonisë së Veriut për dialogun Kosovë-Serbi, duke respektuar interesat e të dy palëve.

Duke folur për ballafaqimin me pandeminë, ai thotë se bashkëpunimi rajonal është kyç për rimëkëmbjen ekonomike.

“Është e rëndësishme që mbledhja e dy qeverive të përgatitet mirë, me një agjendë shumë të qartë dhe me rezultate konkrete, sepse në fakt ajo çfarë unë pres është që edhe njëherë të tregojmë që bashkëpunimi rajonal është kyç, jo vetëm me operu, por në periudhën post-COVID bashkëpunimi rajonal do të jetë kryesor për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht vendeve që janë fqinje. Prandaj, mendoj se shumë shpejt, duke u intensifikuar parapërgatitjet, do të kemi mundësinë, nëse arrihet të bëhet gjatë periudhës së verës do të ishte shumë mirë. Mendoj se duhet t’i paraprijmë sfidave që na presin në periudhën post-COVID”, tha ai.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ai kujton sakrificën e Maqedonisë për të ndërruar emrin, gjë që sipas tij, dëshmon se vetëm me bisedime mund të zgjidhen problemet.

“Si qeveri përkrahim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke respektuar të drejtën e çdo njërit, por duke respektuar edhe interesin e çdo pale dhe gjetjen e zgjidhjes së përbashkët. Mendojmë se vetëm nëpërmjet bisedimit mund të arrihen të tejkalohen vështirësitë”, thekson ai.

Ai përshëndet edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin të Zi dhe Serbinë, duke thënë se ky vendim dëshmon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë më të pjekura se vet Bashkimi Evropian.

Sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kapërdijnë sfidat e vjetra në mënyrë që të kalojnë në një fazë të re të zhvillimit dhe bashkëjetesës të të gjithëve.

“Është vendim i shekullit 21, i lidhur me 4 liritë e Bashkimit Evropian. Lëvizja e lirë e qytetarëve që duhet të gjithë ta synojnë. Kjo dëshmon se ne, politikanët e Ballkanit Perëndimor ndonjëherë me vendimet tona jemi më të pjekur sesa ata vet, të cilët flasin për liritë e BE-së… Qeveria në Republikën e Kosovës, por edhe qeveritë e Ballkanit e kuptuan se duhet të bëjnë hap përpara sepse e kuptuan që integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk bëhet kur dikush tjetër e vendos, por bëhet së bashku duke treguar dhe dëshmuar me rezultate konkrete se çfarë duhet të bëjmë ne si rajon së pari, pastaj duke u integruar në BE”, thotë ai.

Zëvëndëskryeministri i Maqedonisë së Veriut thotë se për një ekonomi të qëndrueshme duhet të ketë stabilitet politik dhe ekonomik. Teksa shton se qeveritë duhet të ofrojnë parashikueshmëri në mënyrë që të mund të sjellin investime të reja.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *