Qeveria nuk zbulon se në cilin drejtim do të ndryshohet Ligji për Bankat pasi Kushtetuesja e shfuqizoi nenin 163 të ligjit me të cilin Fondi i Sigurimit të Depozitave ishte i pari që arkëton kërkesat nga shuma e falimentuar kur një bankë shuhet. Qeveria do e presë Ministrinë e Financave që në dy javët e ardhshme të përgatit ndryshime në ligjin ekzistues në mënyrë që të korrigjojë vakumin ligjor të krijuar nga vendimi i Kushtetueses.
Ministria e Financave duhet të përgatisë ndryshime në Ligjin për Bankat brenda 15 ditësh, në mënyrë që vakumi ligjor i krijuar pas shfuqizimit të nenit 163 të parashikohet në ligjin e ri. Pas 15 ditësh, Qeveria do të debatojë mbi propozimin e Ministrisë së Financave dhe do sjellë konkluzion – deklaroi Muhamet Hoxha – Zëdhënës i Qeverisë së RMV-së.
Frika e opinionit pas ndryshimit të nenit ishte se Fondi nuk do të jetë në gjendje të paguajë depozitat e kursimeve të qytetarëve nëse një bankë falimenton, gjë që nga ana tjetër mund të ndikojë negativisht në sektorin bankar, veçanërisht në fushën e kursimeve. Banka Popullore siguron që shfuqizimi i këtij neni nuk do të ketë ndikim negativ në sektorin bankar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kontekstualizohet me gjendjen dhe stabilitetin e sistemit bankar. Situata në sistemin bankar vlerësohet përmes parametrave kryesorë për funksionimin e tij dhe ato mbeten të volitshme në fund të tremujorit të parë të këtij viti -njoftojnë nga Banka Popullore.