BE me mision për ta zhbllokuar integrimin e Maqedonisë së Veriut. Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe kryediplomati portugez, Silva shpalosën në Sofje propozimin që do të zhbllokonte çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut.
Dokumenti në të cilin mediat bullgare pretendojnë që kanë qasje, sipas tyre parasheh që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945, pa kërkesën bullgare rreth prejardhjes së gjuhës maqedonase. Ndërsa çështja e përdorimit të emrit të shkurtër dhe të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut parashikohet të zgjidhet përmes deklaratave njëpalëshe. Ndërsa është i paqartë rekomandimi për angazhimin e ekspertëve të huaj në komisionin dypalësh të historisë.
Mediat në Sofje raportojnë gjithashtu se ky propozim është i papranueshëm për palën bullgare dhe se bëhet fjalë për presion ndaj Sofjes me versionin e ri të propozimit të vjetër të Berlinit, që vitin e kaluar Sofja e kishte refuzuar. Sipas BGNES, ideja është që kontesti dypalësh mes Shkupit e Sofjes të mos zgjidhet përmes kornizës negociuese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, por përmes Procesit të Stabilizim Asociimit.
Sipas dokumentit, Qeveria e Shkupit duhet të përpunojë plan aksionar, respektivisht udhërrëfyes përmes së cilit gjatë Procesit për Stabilizim Asociim do të ndjekë zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, por kjo ka vetëm karakter kozmetik e jo operativ. Nuk ekzistojnë instrumente me të cilat do të mund të sanksionohej mos-zbatimi, ndërsa Maqedonia e Veriut tashmë katër vjet bën disa plane aksionare, udhërrëfyesë apo dokumente të cilat mandej nuk i zbaton, në mënyrë arrogante”, shkruan BGNES.
Pas takimit me Silvan e Varhelyn, kryediplomati teknik bullgar, Svetllan Stoev tha se pozicioni i Sofjes nuk do të ndryshojë dhe se garancitë që Shkupi do ta zbatojë marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017 mbeten kyçe.