Kapiteni i Gjermanisë, Manuel Nojer, është gati për Europianin. Pasi u shpall zyrtarisht kampion i Bundesligës me Bajernin, portieri gjerman u shpreh në konferencën për shtyp ditën e djeshme se do të jetë po aq i përqendruar në objektivat me kombëtaren sa ç’ishte gjatë sezonit me Bajernin.
PËR PËRGATITJET – “Nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, kemi nisur të mendojmë për të pasi është një turne i rëndësishëm për vendin tonë. Ne te Bajerni kemi javë që kemi fituar kampionatin dhe në këtë mënyrë disa lojtarë janë lënë pushim për t’u çlodhur. Kjo do t’i bëjë mirë atyre për Euorpianin”.
PËR TIFOZËT – “Do të jetë një shtysë e madhe për ne lojtarët, kjo nuk ka asnjë diskutim. Sa më shumë të jenë prezent aq më mirë do të jetë për ne. Ne luajmë për tifozët tanë dhe jemi shumë të lumtur që ata do të jenë në stadium”.
“Gjermania luan vetëm për të fituar, ashtu siç e tha edhe trajneri, do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe më pas do të shohim se sa larg do të shkojmë. Shpresoj që të bëjmë një figurë të mirë duke parë që në turneun e fundit u eliminuam në mënyrë të turpshme. Por skuadra ka ndryshuar shumë që atëherë, kemi mësuar nga gabimet dhe jemi gati për të ngritur lart emrin e Gjermanisë”.
PËR MYLERIN DHE HUMELSIN – “Janë dy lojtarë që i kanë munguar skuadrës. Më vjen shumë mirë që do të kem sërish mundësinë për të luajtur me ta në kombëtaren gjermane. Eksperienca e tyre do të na ndihmojë për të përballuar një grup i cili është më i forti. Franca dhe Portugalia janë dy skuadra më të mira për momentin. Por ne duam të tregojmë se mund të ndeshemi si të barabartë me ta”.