Në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të ardhjes së Hasan Prishtinës në krye të Qeverisë së Shqipërisë (dhjetor 1921), sot e nesër po zhvillohen disa aktivitete që ndërlidhen me veprimtarinë politike e atdhetare të këtij kolosi të kombit.
Një delegacion i kombinuar veprimtarësh e studiuesish sot zbrit në Drenicë, Vushtrri, Skenderaj, Galicë e Boletin, për të vizituar kullat legjendare, të cilat kishin qenë pararojë e zhvillimeve dramatike kombëtare në fillim të shekullit të kaluar.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, fillimisht ishte nikoqir i aktiviteteve të sotme, i cili ndër të tjera vuri theksin tek rëndësia e familjeve atdhetare të cilat kishin ndikuar në ruajtjen e traditave patriotike të popullit tonë. Ai apeloi që në vigjilje të këtyre aktiviteteve që organizohen për nder të Hasan Prishtinës, të ruhet fryma e bashkëpunimit dhe unitetit brendashqiptar.
Në emër të familjeve patriotike, një fjalë rasti mbajti studiuesi Mehmet Prishtina, i cili tha se e gjithë vëmendja këtyre ditëve është përqendruar në shënimin e 100 vjetorit të Hasan Prishtinës-kryeministër i Shqipërisë, që do të përmbyllet me një konferencë ndërkombëtare shkencore kushtuar Hasan Prishtinës, duke veçuar me këtë rast edhe aktivitetet e sotme që do të zhvillohen në Drenicë dhe Boletin, me vizitat e kullave të Isa Boletinit, Ahmet Delisë, Tahir Mehës dhe kompleksi memorial ‘Adem Jasahri’ në Prekaz.
Drejtori i ITSHKSH, Prof.dr. Skender Asani foli për rëndësinë historike të këtyre aktiviteve që si strumbullar kanë figurën madhore kombëtare të Hasan Prishtinës. Ai fillimisht foli për sakrificën sublime të familjes Jashari, e cila paraqet modelin më të përkryer të përkushtimit atdhetar ndaj çështjes kombëtare.
Dr. Asani i njoftoi të pranishmitt me idenë e ITSHKSH që ky vit të jetë në shenjë të Hasan Prishtinës, me rastin e 100 vjetorit të ardhjes së tij në krye të Qeverisë Shqiptare. Ai tha se jo rastësisht Hasan Prishtina doli në skenë në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare atëherë kur Aleanca Balknaike donte ta zhbënte nga faqja e dheut elementin shqiptar. Prandaj, jo rastësiusht, tha ai, Hasan Prishtinës mbeti barra të përballet me këto furtuna që solli koha, duke e orientuar popullin shqiptar politikisht, diplomatikisht por edhe duke rrokur armët për të mbrojtur interesat shqiptare.
Dr. Asani tha se Hasan Prishtina pas takimit të famshëm në Taksim të Stambollit, kthehet në Kosovë dhe del në ballë të kryengritjeve shqiptare, duke organizuar edhe Kuvendin e Junikut, si pikënisje e një rrugëtimi të rëndishëm hisorik që bënë shqiptarët për të krijuar shtetin e tyre kombëtar. Ishte e domosdoshme arritja e unitetit kombëtar, tha dr. Asani, prandaj Hasan Prishtina me bashkëveprimtarët e tij vizitoi kullat e lavdishme në Drenicë dhe në Boletin, disa prej atyre familjeve ndodhen edhe në këtë sallë, në mënyrë që të arrihet një pajtueshmëri në shkallë kombëtare mbi zhvillimet e bujshme që do të pasojnë.