Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski nuk heq dorë nga ideja e miratimit të Ligjit për legalizimin e ndërtimeve ilegale.
Thotë, se janë të vetëdijshëm se Ligji nuk është ideal, por se zgjidhje për 50 mijë objektet ilegale të kategorive sociale, duhet të gjendet.
“Ligji nuk është ideal dhe ka dobësi dhe anë të mira. Por, ne jemi këtu dhe duhet të gjejmë zgjidhje”, tha Boçvarski pas vaksinimit.
I pyetur, se nga ku del numri se 50 mijë familje sociale i kanë shtëpitë e tyre të palegalizuara, Boçvarski u përgjigj:
“Sa i takon kësaj çështje, ne komunikuam me komunat, më së shpeshti për shkak se ata kanë informacione edhe për ligjin paraprak, sa kërkesa ka pasur, sa janë refuzuar, sa janë në proces. Kështu që, qytetet dhe komunat, si Shtipi, Velesi dhe Strumica kanë nga 2-3 mijë objekte sipas vlerësimeve të tyre, të cilët nuk kanë të zgjidhur statusin e tyre”, deklaroi Boçvarski.