Themelimi i Fondit për përkrahje të kompanive eksportuese, Fondit për investime, Fondit për rritjen e mjeteve, Fondit për kapital sipërmarrës, Fondit të investimeve strategjike, si dhe shfrytëzimin e instrumentit crowdfunding (financimi me bashkëpunim apo strukturim të grupit), janë pjesë të Planit për financimin e rimëkëmbjes dhe rritjes së përshpejtuar ekonomike. Ky plan ka për qëllim që nëpërmjet mobilizimit të kapitalit të sektorit privat të shumëfishojë investimet në sektorin publik dhe atë privat, për të përshpejtuar kështu rritjen ekonomike, shkruan në kolumën e tij ministri i Financave Fatmir Besimi dhe thekson se në këtë mënyrë mund të arrihet normë më e lartë ekonomike prej mesatarisht 5%.
Ministri i Financave shkruan se, gjatë kohës kur të gjitha vendet kanë rritur borxhin, si rezultat i krizës nga Kovid-19, nevojitet gjetja e mënyrave të reja të financimit, me qëllim të nxitjes së rritjes ekonomike, por edhe të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik.
Në drejtim të angazhimit tonë për konsolidim fiskal dhe njëherit edhe angazhimet për dyfishimin e rritjes ekonomike dhe arritjen e normës vjetore të rritjes së BPV-së rreth 5%, në Ministrinë e Financave në fazë përfundimtare është përgatitja e Planit për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, të cilin shumë shpejtë do ta prezantojmë dhe do e diskutojmë në opinion. Ky Plan jep përgjigjje për mënyra të reja për qasje në kapital, për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, përmes projekteve në sektorin publik dhe privat. Me këtë plan duam t’i rrisim investimet e përgjithshme në ekonomi dhe njëherit të mbetemi në kursin e projektuar që gradualisht të ulim deficitin fiskal e me këtë të mbajmë borxhin, në nivel stabil – shkruan Besimi.
Plani përfshin themelimin e fondeve zhvillimore, fondeve për përkrahjen e inovacioneve, fondeve garantuese, fondeve ekvite, fondeve për kapital sipërmarrës (venture) dhe instrumente të ngjashme për përkrahjen e kompanive eksportuese, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe ndërmarrjeve sociale. Planifikohen partneritete private publike, koncesione dhe instrumente tjera për financimin e projekteve publike kapitale, por edhe të sektorit privat. Këto projekte janë në kuadër të Komitetit Nacional Investues (KNI), si dhe projekte të reja që mund të dalin si iniciativa nga sektori publik ose privat.