Përkthyesit nuk duhet të jenë administratorë, por punëtorë profesionalë

Një gjuhë bëhet plotësisht funksionale vetëm atëherë kur institucionet arrijnë të zbatojnë politikë kuadri efikase e cila do të ishte në përputhje me nevojat dhe objektivat e zyrtarizimit të asaj gjuhe. Ky konstatim bëhet edhe më eksplicit nëse analizojmë gjendjen e institucioneve tona, ku fatkeqësisht në të shumtën e rasteve mungojnë përkthyesit nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas, si dhe lektorë të gjuhës shqipe”, tha sot paradite Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, duke folur para pjesëmarrësve të trajnimit, të cilin, për përkthyesit dhe lektorët e institucioneve publike e organizon Agjencia e Zbatimit të Gjuhës. Ai foli me admirim për këtë aktivitet, duke vënë në dukje se aftësimi profesional i përkthyesve dhe lektorëve i ka dhënë një kuptim më të plotë çështjes së statusit zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet ku është i domosdoshëm komunikimi shumëgjuhësh.“Nëse më parë kemi mundur me arsye të jemi të pakënaqur me kapacitetet ligjore të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, tani mund të themi se ky hendikep është tejkaluar, pasi politika gjuhësore ka pësuar avancime në disa segmente, që i jep gjuhës shqipe një fushëveprim substancial… Uroj që AZGJ-ja të vazhdojë me tempo të përforcuar në arritjen e synimeve të saj që do të ishin shprehje e reflektimeve të reja në fushën e politikës gjuhësore, ku gjuha shqipe do të duhej të ketë kujdesin maksimal, duke filluar nga ata që e kanë gjuhë amtare, e pastaj edhe nga ata që këtë gjuhë e kanë mjet të domosdoshëm të komunikimit brendainstitucional, tha midis të tjerash Skënder Asani.Në sesionin e pasdites, pjesëmarrësve iu drejtua zëvendësministri i Arsimit, Arafat Shabani. Ai vuri në dukje se pas zyrtarizimit të gjuhës shqipe me ligj, zbatimi praktik varet prej nesh dhe, jo rastësisht, për këtë qëllim është themeluar edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës. Ai i njoftoi pjesëmarrësit se me ndryshimet ligjore për librat shkollorë, autorët do të mund të konkurrojnët direkt me libra në gjuhën shqipe, dhe nëse aprovohen, do të përkthehen edhe në maqedonisht. Në këtë kontekst, ai vuri në dukje rolin që do të marrë Agjencia për lekturimin dhe redaktimin e tyre.“Multikulturalizmi bazohet në ligj, por ka edhe një segment të tretë, e kjo është sjellja jonë, ajo duhet të jetë po ashtu në frymën e multikulturalizmit”, tha zëvendësministri A. Shabani.Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, pjesëmarrësit i informoi për qëllimin e trajnimit duke potencuar se zgjedhjen e kandidatëve e bëjnë institucionet sipas nevojës së tyre, kurse ne si agjenci u ofrojmë mundësi të kalojnë nëpër një proces aftësimi me linguistë të shquar, por dhe të tjerë që zotërojnë terminologjinë juridike e administrative. Drejtori Sela tha se qëllimi i agjencisë është që të krijojë parakushte për përkthime kualitative dhe standardizim të terminologjisë, dokumenteve (formularëve administrativë) që përdorin institucionet, duke bërë çmos për unifikim të tyre, për çka bëhen konsultime edhe me qendrat e tjera si Kosova ose Shqipëria, e që do të hartohen edhe fjalorë elektronikë për këtë qëllim.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *