Takimi njëorësh mes Presidentit Stevo Pendarovski dhe kryetarit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski nuk solli rezultate konkrete. Mickoski tha se te Presidenti ka hasur në mirëkuptim për rastin e të dënuarve për 27 prill, por Pendarovski deklaroi se nuk pranon të ketë relativizim të ngjarjeve, pasi edhe vetë ai ishte sulmuar më 27 prill. Tha se me Mickoskin nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje kësaj çështjeje dhe se kanë biseduar shumë shkurt.
“Mbi bazë të këtyre dëshmive të ketë proces gjyqësor në të cilin këta njerëzve assesi nuk mund të akuzohen dhe nuk ekziston bazë që të akuzohen për sjellje terroriste, respektivisht për sulm terrorist ndaj rendit kushtetues të vendit dhe të shpallen fajtorë. Ne nuk kërkojmë amnisti, nuk kërkojmë lëmoshë, por drejtësi për njerëzit e dënuar”, deklaroi Mickoski.
“Nuk bëj revizion të aktgjykimit për shkak se nuk shoh arsye për një gjë të tillë. Kjo punë është e mbaruar, njerëzit janë në burg, e as nuk them se aktgjykimi është sjellë pa prova. Përndryshe, besoni apo jo, prej rreth 60 minutave bisedë me z. Mickoski, mezi 4-5 minuta biseduam për 27 prillin”, deklaroi Pendarovski.
Kryeministri Zoran Zaev duke e komentuar takimin mes presidentit Pendarovski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski, tha se nuk pret asgjë kur bëhet fjalë për ndodhitë e 27 prillit.
“Nuk po pres asgjë. Është mirë që të ketë dialog, por në lidhje me çështjen e 27 prillit nuk po pres asgjë. Nuk mund që presidenti të amnistojë ngjarje që kanë të bëjnë me vepër – cenim terrorist të rendit kushtetues. Një gjë e tillë nuk lejohet. Por, nga biseda nuk ka dëm. Le të bëjnë muhabet”, ka deklaruar Zaevi.