Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e priti sot në takim pune ministrin e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor të Qeverisë së vendit tonë, z. Naser Nuredinin. Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e frytshëm që zhvillohet në mes dy institucioneve, kontributin e përbashkët në projektet shkencore – ekologjike si dhe u shqyrtuan mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e falënderoi ministrin Nuredini për mbështetjen e ofruar për Universitetin e Tetovës, sidomos në përzgjedhjen e projekteve hulumtuese që realizohen nga Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore.
“Universiteti ynë, me kapacitetet kadrovike, hulumtuesit shkencorë ndër vite është angazhuar që të kontribuojë në projekte me rëndësi, si studimin e biodiversitetit floristik dhe faunistik të masivit malor të Sharrit përmes rritjes së bashkëpunimit rajonal ndëruniversitar, projekt ky që i parapriu iniciativës për shpalljen e një pjese të Malit Sharr si park kombëtar, sikundër angazhohemi që përmes Institutit Ekologjik dhe Teknologjik të kontribuojmë me studime të reja të japim zgjidhjen për tejkalimin e problemeve në fushën e ekologjisë dhe të mbrojtjes së mjedisit jetësor”- deklaroi Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.Po ashtu Rektori bashkë me Dekanin e Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, Prof. Dr. Alit Ibraimi, e falënderuan ministrin, z.Naser Nuredini për mbështetjen e projektit ”Hulumtimi i kualitetit të ajrit në Tetovë dhe rrethinë”, i cili do të realizohet nga Universiteti i Tetovës, përkatësisht nga FSHMN-ja.Ky projekt shkencor do ta hulumtojë- analizojë nivelin e ndotjes së ajrit në Tetovë dhe rrethinë, sikurse do të bëhet përcaktimi i koncentrimit të grimcave PM10 dhe PM2.5 mikrometër si dhe analiza e përbërjes kimike të këtyre grimcave. Realizues të këtij projekti janë profesorët nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore: Prof. Dr. Neset Izairi, Prof. Dr. Mimoza Ristova, Prof. Dr. Muhamed Shehabi, Prof. Dr. Shefket Dehari, Prof. Dr. Fadil Ajredini dhe studentë nga cikli i parë dhe i dytë i studimeve.
Ministri Naser Nuredini theksoi rëndësinë që kanë këto projekte për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe si të tilla duhet të mbështeten nga institucionet përkatëse.“Është në detyrën e dikasterit që unë drejtoj të përkrahim, mbështesim hulumtuesit shkencorë dhe zhvillimin e këtyre projekteve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve tanë. Ne për këtë vit e kemi përzgjedhur këtë projekt si një nga iniciativat serioze që do të realizohet gjatë vitit 2021, që me analizën dhe kompetencën shkencore do t’i ndihmojë institucionet e vendit në marrjen e masave përkatëse për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit”- tha ndër të tjera Naser Nuredini- ministër i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.Në përfundim të takimit u theksua nevoja që në të ardhmen të firmoset edhe marrëveshje tripalëshe në mes Universitetit të Tetovës, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Universitetit të Shtipit për shfrytëzimin e laboratorit të kësaj ministrie për monitorimin e ndotjes se mjedisit në çdo kohë në formë digjitale.