Megjithëse ende nuk është shpallur zyrtarisht rezultati i votimeve, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në një dalje të përbashkët për media shpallen fitoren.
Duke e cilësuar Kurtin si kryeministrin e ri të Kosovës, Osmani u shpreh: Nder të punojmë me kryeministër Kurtin, nesër lind diell i ri për Kosovën.
“Sot dita e bardhë qe paralajmëruar në mëngjes, u shndërrua edhe në natë të bardhë. Sot Kosova votoi po ashtu për një të ardhme faqebardhë për gjithë qytetarët e saj. Sot, zëri juaj kumboi si kurrë më parë. E kemi pritur të gjithë gjatë këtë ditë. Por sot vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur dhe dëshiruar… Jemi të vetëdijshëm që për ndryshimin që po flasin do të na duhet kohë për të arritur, por si kurrë më parë jam e bindur se këtë herë do të jetë e mundur, sepse bashkë me ju me besim dhe guxim do të bëjmë ndryshimin realitet”, tha Osmani.
Osmani, e cila pretendon postin e presidentes me mandat të plotë, u zotua se do të kthejnë besimin në institucione.
“Ky nuk është një mandat për hakmarrje, e po ashtu nuk është mandate për t’u kthyer prapa. Është mandat ku ne e nderojmë historinë tonë të përbashkët. Ku ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë pa kompromis korrupsionin. Sigurojmë drejtësinë dhe punojmë me zell të madh për barazinë. Kjo qeveri do të jetë qeveria juaj të nderuar qytetarë, e zëri ynë do të jetë zëri juaj. Nëse ka ende në mesin tuaj të tillë se në Kosovë vështirë bëhet ndryshimet, fitorja plebishitare e koalicionit është përgjigja e sinqertë”, deklaroi Osmani.
Krahas kësaj, ajo përmendi edhe rezultatet te partitë tjera, ku tha se iu bë e qartë të gjithëve se nuk vendoset interesi personal, para atij nacional.
“Sot iu bë e qartë çdo kujt që e vë interesin personal, para atij nacional që i vendos interesat e veta para atyre të popullit që qytetarët e Kosovës e dinë kur është mjaft dhe e dinë kur është koha për një kapitull të ri”, tha Osmani.
Osmani tha se do të rrugëtojnë bashkë me Albin Kurtin dhe përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.