Zjarri që pasditen e sotme shpërtheu mbi fshatin Galiçnik është vënë nën kontroll, bëri të ditur Bashkësia Lokale e Galiçnikut në Fejsbuk.
“Zjarri është vënë nën kontroll. Sipas informacioneve të fundit, nuk ka rrezik për pronat dhe shtëpitë. Sot kanë intervenuar PN Mavrovë, Qendra për menaxhim me kriza, Brigada kundër zjarreve nga Dibra dhe Gostivari, vetura ambulancë Gostivar, helikopter i Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, popullata lokale dhe ekipe dhe automjete të Klubit të kuajve Sherpa. Sonte në Galiçnik kemi mysafirë- njësinë speciale të Armatës që janë prezent për mbështetje nëse situatat bëhen kritike dhe paraqitet nevoja e intervenimit. Një falënderim i veçantë deri te ta”, theksohet në publikim.
Sipas të njëjtit burim, zjarri mbi hotelin “Neda” është shuar tërësisht, ndërsa ekipet intervenojnë në pjesën e largpërçuesit dhe pritet lokalizim i shpejtë ku shuhen mbetjet e fundit nga zjarri, ndërsa nesër në mëngjes janë paralajmëruar fluturime për shuarje me dy helikopterët e armatës.
“Energjia elektrike ende është në ndërprerje dhe do të lëshohet përsëri pasi të kryhen kontrollet e nevojshme. Do të informojmë në mënyrë plotësuese. Një falënderim i madh deri te të gjithë për aksionin e sotëm”, theksohet më tej në publikimin.
Më para, Qendra për menaxhim me kriza informoi se helikopteri i Armatës i cili ka marrë pjesë në shuarjen e zjarrit pyjor mbi fshatin Galiçnik, nuk ka mundur të veprojë për shkak të erës shumë të fuqishme. QMK informoi se informacionin për shpërthimin e zjarrit pyjor mbi fshatin Galiçnik e ka marrë sot rreth orës 13:30.
Sipas QMK-së, zjarri ka përfshirë pyje me pisha në terren të paarritshëm edhe për shkak të erës së përforcuar paraqiste rrezik potencial për fshatin Galiçnik, por njëherësh edhe për forcat e angazhuara në shuarjen e tyre.
Nga QMK informuan se për rastin janë njoftuar edhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Njësitë Lokale për Mbrojtje kundër Zjarreve (NjLMKZ), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) si dhe subjektet tjera të Sistemit për Menaxhim me Kriza (SMK), konform procedurave për punë të qendrave të kujdestarisë rajonale për menaxhimin me kriza.