Rei Manaj po kalon sezonin më të mirë të karrierës së tij. Sulmuesi shqiptar ka qenë i pandalshëm me Barcelonën B, ku mban firmën e 11 golave të shënuar në kampionat. Një shifër kjo që tregon marrëdhënien e mirë të lushnjarit me portën kundërshtare.
Ecurinë pozitive e ka vazhduar edhe ndeshjen e sotme. Barcelona B është duke fituar 2-0 kundër Ibizas, ndërsa siparin e golave e ngriti pikërisht Manaj. 24-vjeçari kërcen bukur në shtyllën e parë pas një goditje nga këndi dhe realizon kështu një supergol me kokë në minutën e 23-të të takimit. Ky ishte i 11-i gol për futbollistin shqiptar në këtë sezon.