Gjatë festës së 1 Majit, Pashkëve dhe festës së Bajramit, prioritet është respektimi i masave. Është e dëshirueshme të qëndrojmë larg turmave, të mbajmë distancë dhe të mbajmë maskë mbrojtëse. Përndryshe, të gjitha përpjekjet e deritanishme do të jenë të kota nëse harrohet rreziku i virusit.
Këto janë disa nga rekomandimet drejtuar qytetarëve nga autoritetet shëndetësore por edhe prijësit fetarë në vend. Kësaj thirrje i është bashkangjitur edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i cili thekson se aspekti i respektimit të traditës në lidhje me besimin dhe fenë, është gjest i rëndësishëm sepse është pjesë e jetës sonë të përditshme, jetës shoqërore dhe duhet t’i respektojmë ato, por theksoi ai, ne duhet të mbrojmë fillimisht shëndetin dhe jetën tonë.
Fetai tha se, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe me shembullin tonë, duke marrë parasysh përgjegjësinë tonë, të veprojmë si duhet brenda asaj që tani do të thotë jetë me masa, rekomandime, parandalim. Ndryshe, për shkak se besimtarët ortodoks sonte festojnë Pashkët, sonte në Maqedoninë e Veriut nuk do të ketë orë policore. Kështu, qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm edhe pas orës 21:00.
“Përjashtim nga ndalesa dhe regjimi i veçantë i lëvizjes janë orët e mbrëmjes mes datave 1 dhe 2 maj, gjegjësisht gjatë festës fetare Pashkët”,
njoftuan nga Qeveria ditën kur u vendos, që ora policore të mos vlejë gjatë Pashkëve dhe Ramazan Bajramit. Ora policore do të hyjë në fuqi sërish ditën e nesërme, të dielën në ora 21:00 dhe do të mbarojë në ora 05:00 të mëngjesit të ditës së nesërme. Në këtë formë, ora policore do të vazhdojë deri në mbrëmjen e 13 majit, ditën e parë të Ramazan Bajramit. Atë ditë sërish nuk do të ketë orë policore