Historia e panjohur e tre mësuesve nga Kukësi, që donin të vrisnin Enver Hoxhën

Memorie.al publikon historinë e panjohur të tre arsimtarëve nga fshati Bicaj i rrethit të Kukësit, Avdi, Shefqet dhe Xhevat Gjana, kushërinj me njëri tjetrin, të cilët në fillimin e viteve ’60-të kur shërbenin si mësues në fshatrat e thellë të asaj zone, filluan të flisnin për gjendjen tejet të vështirë ekonomike dhe prapambetjen e tejskajshme në të cilën ndodhesh ajo krahinë malore ku ata ishin emëruar pas studimeve, duke pësuar një zhgënjim të madh që në hapat e parë të jetës së tyre. Dëshmia e rrallë e Xhevat Gjanës për bisedat politike me kushërinjtë e tij: Avdi, Shefqet dhe Bajram Gjana, si dhe me Shemsi Domin e Muharrem Selmanin, të cilët pas shumë diskutimeve, vendosën që të ndërmerrnin veprime konkrete kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke planifikuar tre variante: ku i pari ishte për një sulm të shpejtë ndaj Radio-Kukësit, nga ku më pas do bëhej thirrje popullit për një kryengritje të armatosur për përmbysjen e pushtetit popullor, i dytë për të organizuar çetat vullnetare për një revoltë gjatë periudhës së zboreve në të gjithë rrethin, duke sulmuar me armë institucionet dhe zyrat shtetërore, dhe i treti për një atentat të mundshëm ndaj Enver Hoxhës, i cili do të destabilizonte situatën duke shkaktuar turbullira. Zgjerimi i grupit me mjekun radiolog të spitalit të Kukësit, Raif Elezi dhe poetin Hafi Nela që shërbente si mësues në fshatin Topojan, të cilët u treguan të gatshëm për fillimin e veprimeve konkrete, por bisedat e tyre u zbuluan nga Sigurimi i Shtetit dhe ata u arrestuan në vitin 1970 e dolën në gjyq në qytetin e Kukësit, duke u dënuar me burgime të rënda, për akte terroriste.

“Përveç variantit të marrjes së Radio – Kukësit me anë të një sulmi të armatosur dhe lëshimit të një thirrje me anë të saj, një mënyrë tjetër që ne kishim menduar për përmbysjen e pushtetit, ishte dhe ajo e organizimit të një revolte të armatosur, me anë të njerëzve të besuar e të zgjedhur, në çetat vullnetare gjatë zhvillimit të zboreve, duke e shtrirë atë në të gjitha zonat e rrethit të Kukësit, që ne kishim njohje. Këtë gjë, unë e pata biseduar personalisht edhe me Havzi Nelën, (poetin disident që e varën në litar në vitin 1988, në mes të qytetit të Kukësit), gjatë kohës që ne të dy ishim mësues, në fshatin Topojan. Havziu e priti shumë mirë propozimin tim dhe u tregua i gatshëm për veprime të mëtejshme. Ndërsa variant i tretë dhe i fundit që ne kishim menduar se mund të sillte përmbysjen e regjimit komunist, ishte ai i vrasjes së Enver Hoxhës, me anë të një atentati, gjë e cila automatikisht do të sillte destabilizim të situatës politike dhe ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve në Shqipëri”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Xhevat Gjana, me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit, i cili rrëfen historinë që i ka ndodhur në mesin e viteve ’60-të, kur ai shërbente si mësues matematike në fshatrat e Kukësit, ngjarje e cila i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe e përplasi për vite me rradhë burgjeve të regjimit komunist në galeritë e thella të Spaçit e qelive të tmerrshme të Burrelit.

Zoti Xhevat, kur ju lindën pakënaqësitë e para ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës?

Pas diplomimit në Institutin Pedagogjik të Shkodrës në vitin 1963, unë u caktova si mësues matematike në disa fshatra të thella të rrethit të Kukësit, ku mbizotëronte një prapambetje e thellë ekonomike dhe arsimore. Në ato fshatra, unë shërbeva deri në vitin 1967, periudhë kohe e cila konçidoi edhe me fillimin e kolektivizimit total të fshatarsisë. Nisur nga ai realitet i mjeruar, me të cilën u ndesha sapo dola në jetë, unë u gjenda përpara një zhgënjimi të madh, pasi ajo që po shihja me sytë e mi, ishte krejt e kundërta, nga propaganda zyrtare e regjimit në fuqi. Pikërisht në ato vite, më lindën edhe pakënaqësitë e para ndaj regjimit komunist në fuqi, pakënaqësi të cilat e kishin zanafillën e burimin edhe në trajtimin që i bëhej familjes sonë nga regjimi në fuqi, për arsye se daja im, profesor Miftar Spahia, i cili në vitet e para të pasluftës kishte qenë i arratisur në male me Muharrem Bajraktarin, jetonte në SHBA dhe ishte i katërti në listën e “Kriminelëve të Luftës”, që shteti komunist ua kishte ndaluar kthimin në Shqipëri.

Atë realitet të hidhur që ndeshe në atë kohë kur dole si mësues, a e bisedoje me njeri?

Lidhur me gjendjen e vështirë ekonomike dhe prapambetjen e tej skajshme në të cilën ndodheshin pothuaj të gjitha fshatrat e atyre zonave të thella, ku ne po i shkelnim çdo ditë, unë bisedoja me dy të afërmit e mi, Shefqet e Avdi Gjana, të cilët ashtu si dhe unë, shërbenin si arsimtar. Shefqeti dhe Avdiu ishin mësues në shkolla të ndryshme, por ne bashkoheshim të shtunave dhe të dielave, për të biseduar me njeri tjetrin. Në të gjitha takimet që bënim, gjithsecili prej nesh sillte faktet e veta, nga jeta mizerje ku ndodheshim. Nisur nga kjo, ne të tre nxorrëm konkluzionin se ishim të mashtruar nga propaganda, që bëhej që në bankat e shkollave.

Bisedat që bënit me dy të afërmit tuaj, ishin në kuadrin e konstatimit të gjendjes së vështirë ekonomike dhe të prapambetjes ku ndodheshin fshatrat e asaj zone ku shërbenit ju në atë kohë?

Siç thashë pak më sipër, gjithçka që bisedonim, e kishte zanafillën në gjendjen tejet të vështirë ekonomike dhe pikërisht në atë kohë shpërtheu kolektivizimi i fshatarsisë në zonat malore. Ne të tre ishim kundër asaj që po ndodhte, duke e quajtur atë veprim krejtësisht të pamundur për zbatimin e agrokulturës në ato zona të thella. Por edhe pse ishim kundër kolektivizimit, ne gjithashtu ishim koshientë se ai do të bëhej me të gjitha mënyrat, duke nxjerrë konkluzionin se populli ishte i nënshtruar dhe nuk mund ta kundërshtonte dot këtë që po ndodhte.

Bisedat tuaja rrihnin vetëm tek kolektivizimi, apo kishit dhe rezerva të tjera ndaj sistemit?

Problemi i kolektivizimit, ishte e para e të gjithave bisedave tona, pasi ishte shumë i prekshëm, duke ndikuar drejt për drejt, në jetën tonë të përditshme, por ne kishim edhe shumë rezerva të tjera ndaj regjimit në fuqi. Mes të tjerash ne diskutonim edhe për problemet e mbrojtjes së vendit, duke i quajtur fare të pavend, investimet e mëdha që bëheshin në fushën ushtarake, për fortifikimin e vendit, deri në zonat më të thella.

A diskutonit me njeri tjetrin duke bërë analiza se si mund të kapërcehej ajo situatë, ndaj të cilëve ju kishit rezervat tuaja?

Ne mendonim se e vetmja gjë, që mund ta parandalonte kolektivizimin, ishte përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri.

A kishit frikë se idetë tuaja, mund të binin në veshin e Sigurimit të Shtetit?

Patjetër që kishim frikë dhe të gjitha bisedat, i bënim vetëm dy persona p.sh., unë me Avdiun, ose unë me Shefqetin. Rrallë herë mund të bisedonim tre veta. Por me kalimin e kohës grupi ynë u zgjerua dhe afruam edhe me kushëririn tjetër, Bajram Gjanën, si dhe Shemsi Domin e Muharrem Selmanin, ku të gjithë ishim intelektualë me shkolla të larta.

Rezervat tuaja ndaj regjimit komunist, mbetën vetëm në kuadrin e bisedave, apo shkuat më tej duke analizuar se çfarë mund të bëhej?

Jo, ne nuk mbetëm vetëm tek konstatimet, por shkuam deri aty, sa të mendonim se çfarë mund të bënte gjithsecili prej nesh, për të kontribuar në përmbysjen e atij regjimi.

Më konkretisht çfarë menduat të bënit?

E para gjë që na shkoi ndër mënd, ishte se me disa elementë të zgjedhur e të besuar, të kryenim një sulm të armatosur ndaj Radio – Kukësit. Pasi të merrnim godinën e saj, do t’i bënim thirrje mbarë popullit, që të ngriheshin dhe të përmbysnin regjimin komunist në Shqipëri. Ne do t’i bënim thirrje popullit, që të ngriheshin për kryengritje të armatosur, duke shpresuar për një ndërhyrje ushtarake të mundshme nga jashtë.

A biseduat me ndonjë njeri tjetër, për planin e marrjes me armë të Radio – Kukësit?

Si fillim, ne biseduam me Raif Elezin, i cili shërbente si radiolog në spitalin e Kukësit. Ai jo vetëm që e priti mjaft mirë propozimin tonë, por u tregua shumë i gatshëm për të vepruar në rastin më të parë.

Përveç variantit të marrjes së Radio Kukësit, cilat ishin mënyrat e tjera që thatë se u kishin shkuar në mëndje për të vepruar?

Një mënyrë tjetër, që na kishte shkuar ndër mënd, ishte ajo e një tjetër revolte të armatosur, me anë të njerëzve të njohur, e të besuar, që kishim në çetat vullnetare, gjatë zboreve që këto të fundit zhvillonin nëpër fshatra. Këtë opsion, unë e pata diskutuar edhe me mësuesin dhe poetin e famshëm, Havzi Nela, gjatë kohës kur të dy shërbenim si arsimtarë në Topojan. Edhe Havziu, e priti mirë propozimin tim dhe u tregua i gatshëm që të na ndihmonte. Ndërsa varianti i tretë dhe i fundit do të ishte, eliminimi fizik i Enver Hoxhës, nëpërmjet një atentati. Gjë e cila automatikisht, do të sillte destabilizimin e situatës politike në vend dhe si rrjedhojë, do të çonte në shëmbjen e mundshme të atij regjimi.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *