Bombola e gazit ka qenë shkaku i shpërthimit të zjarrit në një objekt banimi në katin e pestë, në Bulevardin “Iliria” në Tetovë, raporton Alsat. Zjarri ka shpërthyer rreth orës 7 e 50 minuta, ndërsa vetëm disa minuta më vonë kanë arritur edhe zjarrfikësit me dy makina dhe tetë zjarrfikës të cilët për një periudhë të shkurtër, kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin duke parandaluar përhapjen e tij nëpër banesat tjera. Nga zjarri i shkaktuar nga bombola e gazit, nuk ka pasur të lënduar, edhe pse në momentin e shpërthimit të zjarrit në banesë ka pasur banorë, por janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Për momentin zjarri është shuar tërësisht, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe pjesëtarë të Sektorit për punë të brendshme të Tetovës, të cilët konstatojnë shkaqet e zjarrit dhe dëmet materiale të shkaktuara nga zjarri.