Nesër pritet të arrijnë 200 mijë vaksinat kineze me çka parashihet edhe rritja e qytetarëve që do të imunizohen në bazë ditore. Ndërsa çdo të hënë në muajin maj do të vijnë nga 5.000 deri 7.000 vaksina Pfizer, respektivisht gjithsej 26 mijë doza, njoftoi dje ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe duke shtuar se pret informacione nga Covax sistemi.
Ndërkohë, kryeministrja serbe, Ana Brnabic dje njoftoi se Serbia i ka dhuruar Maqedonisë së Veriut gjithsej 48,000 vaksina kundër Covid-19.
Për 33.8% është ulur numri i të infektuarve nga Kovid 19. Raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik tregon se brenda javës së shkuar janë regjistruar 3,443 raste pozitive në 33 qytete të vendit. Rënie ka shënuar edhe numri i testeve për 16,5%. Në lidhje me situatën me Covid-19, ministri Filipçe tha se qytetarët duhet të jenë vetë të kujdesshëm dhe të respektojnë protokollet që gjendja të mbahen nën kontroll dhe të shkoj drejt normalizimit të plotë.
“Qytetarët duhet ta dinë se kanë përgjegjësi të madhe individuale. Nuk mundemi ne të imponojmë masa dhe shteti të jetë ai që duhet të tregojë se çka të bëni. Ka protokolle për gjithçka. Nëse i respektojmë, gjithë jeta do shkojë simbas protokolleve dhe nuk do kemi problem me situatën epidemiologjike”, pohoi Venko Filipçe, Ministër I Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë pret që gjendja të shkojë drejt përmirësimit të mëtejmë.
“Nuk presim rritje tjetër të numrit të rasteve pozitive megjithëse këtë e them me rezervë sepse mund të komplikohet pasqyra epidemiologjike dhe të ketë ndryshim të masave. Tani për tani trendet janë në drejtim të uljes së numrit. Bien numrat e të infektuarve, sot kemi nën 500 raste sikurse dje- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë vazhdon imunizimi nëpër shtëpitë e shëndetit dhe në A1 arenën në Shkup. Deri më sot janë vaksinuar rreth 56 mijë qytetarë ndërkaq mbi 207 mijë të tjerë janë paraqitur për tu vaksinuar. Që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 151. 569 raste, prej të cilëve 131.530 janë shëruar, kurse 4.772 kanë ndërruar jetë. Vendi aktualisht 15.267 raste aktive me virusin korona.