Zinedin Zidan është i kënaqur me barazimin dhe thotë se Reali i Madridit jep më të mirë në transfertë, çka do të thotë se kërcënon rivalët e Çelsit. Trajneri francez ka treguar planin që kishte skuadra për të thyer blutë e Londrës, por ai nuk funksionoi gjatë pjesës së parë. Numri një i “Galaktikëve” thotë se ritmet e larta sigurisht që e vënë në vështirësi skuadrën e tij, por tani gjithçka do të luhet në Londër dhe ekipi do të përgatitet për të siguruar finalen e madhe të Championsit.
NDESHJA
“Pjesa e parë ishte e vështirë, por në të dytën ishim më mirë. E vërteta është që Çelsi e nisi mirë. Janë lojtarë të shpejtë. Mendoj se barazimi ishte rezultat i drejtë”.
PLANI
“Ne donim të bënim presing lart një kundër një, por kur nuk del kjo gjë, atëherë bëhet e vështirë. Deri në momentin e golit patëm tmerrësisht vështirësi, por në pjesën e dytë ishim më mirë. Patëm kontroll. Jemi të gjallë dhe do të luajmë ndeshjen e dytë. Jam i kënaqur për atë që bëmë në përgjithësi”.
RITMI I LARTË
“Mund të jetë kjo gjë, por kur e përgatit ndeshjen ne nuk e mendojmë këtë. Jemi më të mirë në fushën kundërshtare kur bëjmë presing. Por, rivali gjithashtu është i fortë, kompetitiv. Në 20 ndeshje e kanë mbajtur portën për 16 ndeshje pa pësuar. Kjo gjë vihet re dhe nuk ka arritur kot në gjysmëfinale. Ishte ndeshje e luftuar”.
BENZEMA
“Nuk do ta tregoj se çfarë i thashë. Ishte një mesazh dashurie kur e zëvendësova. I thashë që është shumë i mirë”.
MILITAO
“E vërteta është që e gjithë skuadra luajti mirë. Mili ka bërë një ndeshje pozitive, por si të gjithë. Në pjesën e parë patëm vështirësi, por pas 30 minutash lojë ishim më mirë. Tani të pushojmë”.