Julian Nagelsman dhe Bajerni i Myniut kanë arritur një marrëveshje për të punuar së bashku në sezonin e ardhshëm. Sipas asaj që shkruan “Kicker” dhe “Bild”, 33- vjeçari u ka kërkuar drejtuesve të Lajpcigut se kërkon të ndërpresë kontratën me klubin që e lidh atë deri në 2023. Lajpcigu kërkon 25 milionë euro nga Bajerni për të lënë të lirë trajnerin. Nëse bavarezët do të paguanin shumën e kërkuar nga skuadra e “Red Bull”- it, atëherë Nagelsman do të ishte trajneri i parë në historinë e Bundesligës që ka kushtuar kaq shumë.
Duket se gjithçka është drejt realizmit me kampionët në fuqi që nuk duan të humbasin kohë dhe të nisin nga puna për të zëvendësuar Hansi Flikun i cili ka deklaruar se kërkon të largohet në fund të sezonit nga Mynihu. 56- vjeçari është pranë drejtimit të kombëtares gjermane. Kjo pasi trajneri aktual, Joakim Lëv ka deklaruar se nuk do të jetë më në krye të “Pancerave” pasi të përfundojë Kampionatin Europian në muajin qershor. Hansi Flik shihet si favorit për të nisur një aventurë të re në DFB dhe për këtë u ka kërkuar drejtuesve bavarezë që të prishë para kohe kontratën me ta. Ishte vetë Flik që pas ndeshjen në Volfsburg që deklaroi se ua kishte komunikuar lojtarëve në dhomat e zhveshjes një largim të tijin nga Mynihu.
Kjo ka qenë edhe arsyeja përse drejtuesit e skuadrës kampione nuk kanë vonuar dhe kanë kontaktuar Nagelsmanin. Edhe pse qarkullojnë zëra se klubi bavarez dhe trajneri i Lajpcigut kanë pasur kontakte që në muajin janar, atëherë kur Bajerni zyrtarizoi blerjen e mbrojtësit të Lajpcigut, Dajot Upamekano, për sezonin e ri. Ndërkohë, vendin e Julian Nagelsmanit në Lajpcig pritet ta marrë Jese Mars i cili ka punuar në Amerikë te “New York Red Bull” që militon në MLS dhe është aktualisht pjesë e Salcburgut në kampionatin austriak. 47-vjeçari e njeh mirë ambientin në Gjermani dhe shihet si trajneri ideal për të drejtuar Lajpcigun në Bundesligë nga sezoni i ardhshëm.