Shkëndija e Tetovës hipotekon titullin e katërt kampion në Maqedoninë e Veriut, katër javë nga fundi i kampionatit. Tri pikët e djeshme falë fitores me përmbysje 3-1 ndaj Borecit, hipotekojnë këtë sukses të skuadrës shqiptare nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka. Kuqezinjtë e Tetovës kanë triumfuar për nëntë muaj dhe tani është koha për ta programuar skuadrën që do të synojë të tjera suksese, në Europë. Ernest Gjoka, në një intervistë për “Panorama Sport” tregon suksesin e veçantë për të dhe për ekipin, ndryshimet, mënyrën si është shkuar deri te ky sukses dhe çfarë ka ndryshuar Shkëndija e këtij sezoni nga skuadrat e mëparshme që kanë pasur sukses.
Gjoka, si ishte ky sezon për ju në krye të Shkëndijës?
I vështirë, për hir të së vërtetës, për shkak të pandemisë dhe të riorganizimit të Shkëndijës, e cila ka nisur një cikël të ri vjet, cikël rinovimesh. Ky ekip i ri dha shenjat e para në kupat e Europës. Ky është muaji i nëntë që jemi në kryesim dhe sot (dje) e mbyllëm matematikisht çështjen e titullit.
Të jesh gjithë kohës në krye, e lehtëson apo vështirëson punën?
Të thuash që je në vend të parë gjithë kohës, është diçka e lehtë. Mirëpo, që ta mbash kryesimin ndaj presioneve të shumëllojshme, atëherë duhet të jesh një ekip me mentalitet të fortë dhe fitues. Kemi udhëhequr gjatë gjithë kohës, por kemi pasur edhe momentet tona jo të mira. Ja kemi dalë t’i zgjidhim falë cilësisë dhe lojtarëve me eksperiencë që kemi në përbërje dhe të mbërrijmë deri në këtë pikë ku e mbyllëm matematikisht kampionatin, katër javë para.
Cilat kanë qenë momentet më të vështira dhe më të bukura këtë sezon?
Nuk është se kem pasur shumë. Ndoshta periudha e dy barazimeve radhazi. Ky moment nuk na pëlqeu dhe na solli pak shqetësim. Gjatë gjithë kohës ne kemi qenë në vend të parë dhe kemi vetëm një humbje. Pastaj e zgjidhëm dhe vazhduam përpara. Momente të bukura ka pasur, sepse Shkëndija ka bërë një kampionat ndryshe këtë herë. Shkëndija e suksesshme e viteve më përpara ka qenë më e suksesshme në Tetovë dhe më pak jashtë, këtë herë ne kemi thyer një mit. Kemi gati 85% të ndeshjeve jashtë të fituara.
Jeni trajneri i tabuve atëherë. Përveç kësaj, keni marrë titullin e parë në Superiore me Kukësin si dhe jeni i pari trajner i huaj që fitoni me Shkëndijën. Cili është sekreti i suksesit për Gjokën?
Nuk është çështje sekreti. Së pari, është çështje përqendrimi. Së dyti, e një marrëdhënieje shumë të mirë që unë mundohem ta ndërtoj me njerëzit që punoj, duke përfshirë edhe grupin e lojtarëve. Në krye të herës duhet të jemi njerëz, të japësh njerzillëk dhe dashuri e më pas edhe grupi do japë gjithçka ka kur trajneri bëhet i besueshëm.
Cili është më i bukur për ju, titulli me Kukësin apo ky me Shkëndijën?
Çdo titull është shumë i bukur. Unë sot bëj pesë. Sigurisht, e Shkëndijës është shumë e bukur sepse është një vend tjetër, jo në vendin tonë, ku duam apo s’duam, i njohim gjërat. Ky i fundit është titull specifik dhe ‘qershia mbi tortë’ e të gjithë trofeve të mi.