Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas ka nënvizuar qartë se idetë për ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor janë të rrezikshme dhe jo realiste.
Kryediplomati gjerman në një konferencë të përbashkët për medie me presidenten Vjosa Osmani, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, por duhet të ketë një kompromis për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Pas takimit me të parën e shtetit, Mass premtoi se Gjermania do të angazhohet për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për Kosovën. Derisa bëri të ditur se javëve të ardhshme platformës COVAX do t’i shtohen edhe 100 mijë vaksina të reja për Kosovën.
“Natyrisht se njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe nuk do të realizohet. Përtej kësaj nga dy anët është normale në dialogët për normalizim të ketë një kompromis. Nuk dua të tërheq linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër, për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, tha ai.