Pas javëve tensione në lidhje me mbledhjen e trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, ka urdhëruar trupat që të kthehen në bazat e tyre.
BE-ja llogarit se më tepër se 100 mijë ushtarë rusë u mblodhën në afërsi të kufirit si dhe në Krime, që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Duke folur në Krime, Shoigu ka thënë se njësitet që ishin në stërvitje mund të kthehen në bazat e tyre.
“Trupat kanë demonstruar aftësinë për të ofruar mbrojtje kredibile për shtetin”, ka thënë Shoigu, duke shtuar se ka dhënë instruksione për komanduesit e njësiteve për të nisur kthimin në bazat e tyre nga e premte dhe se operacioni do të kompetohet deri më 1 maj.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ngritur çështjen e mbledhjes së trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën me liderët evropianë, dhe ka kërkuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të takohet me të në zonën e konfliktit. Liderët e NATO-s po ashtu kanë ndezur alarmin.