Tetë persona janë vrarë të ënjten mbrëma pas të shtënave me armë në një objekt të kompanisë “Fedex” në Indianapolis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Insajderi.
Policia ka njoftuar se dorasi pas aksionit kreu vetëvrasje dhe se sipas tyre, një kërcenim i tillë nuk ishte paralajmëruar më herët.
Motivet e vrasjes sipas policisë amerikane nuk dihen, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë, raporton CNN.
“Kur policia arriti në vendin e ngjarjes, oficerët u përballën me një skenë të shtënave aktive në objekt”, ka thënë para gazetarëve zëdhënësja e policisë së Indianapolisit, Genae Cook.
“Autoritetet ishin në dijeni të shumë viktimave të tjera të plagosura në spitale, njëri prej të cilëve ishte në gjendje kritike”, ka shtuar Cook gjatë konferencës për media.
“Oficerët u përgjigjën, ata hynë dhe bënë punën e tyre. Shumë prej tyre po përpiqen të përballen me këtë sepse kjo është një pamje që askush nuk duhet ta ketë kurrë më parë”, ka përfunduar ajo./Insajderi.com