Politikanët në Maqedoni urojnë besimtarët për muajin e shenjtë të Ramazanit

Krerët e partive politike në Maqedoni, i kanë uruar besimtarët mysliman për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Mesazhi kryesor i tyre është që të ketë harmoni në familje dhe situata e tanishme të përdoret për reflektim.

Ali Ahmeti:

Në prag të fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarëve të fesë Islame ju uroj agjërim të lehtë dhe të pranuar, duke dalë të plotësuar nga muaji i mundësive të ripërtëritjes shpirtërore. Paçi muaj të mbarë bashkë me familjarët dhe në përputhje me masat e kujdesit për shëndetin tuaj dhe të afërmit e juaj.

Bilall Kasami:

Zemrat e besimtarëve le të hapen për mirësi, humanizëm dhe besim të sinqertë në këtë muaj të bekuar të Ramazanit. Lutjet tona, agjërimi dhe falja janë të drejtuara për Krijuesin për të kaluar këtë periudhë të vështirë që e kalojmë, për një të ardhme më të mirë, shëndet, mirëqenje dhe fat. Agjërim dhe lutje të pranuara!

Afrim Gashi:

Fillimi i muajit të agjërimit, si rëndom, vjen bashkë me buzëqeshjen dhe gëzimin e besimtarëve agjërues. Shfrytëzoj rastin që, në vigjilje të këtij muaji të bekuar, t’jua uroj nga zemra fillimin e muajit të agjërimit dhe të lutem që sofra e iftarit, më shumë se tryezë ushqimi, të jetë moment i kontemplimit dhe shprehjes së dashurisë e harmonisë familjare, por edhe kulm i ngritjes shpirtërore. E në çastin kur lutjet pranohen, të mos i harrojmë skamnorët, të vobektit dhe të sëmurit, veçanërisht ata që në këtë kohë vuajnë nga virusi Covid-19. Agjërimi, pos tjerash, është edhe mundësi që, duke dëshmuar sakrificën dhe përkushtimin e heqjes dorë nga gjërat e kësobotshme, ta dëshmojmë edhe gatishmërinë dhe vendosmërinë tonë vetëmohuese për ideale më të larta dhe për vlera më sublime. Zoti e pranoftë agjërimin tonë dhe qoftë ky Ramazan shkallare përmes së cilës besimtarët ngrihen më pranë Zotit të tyre!

Ziadin Sela:

Më rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, më lejoni tju uroj gjithë besimtarëve të fesë islame, fillimin e këtij muaj me rëndësi të veçantë shpirtërore dhe humane. Muaji i Ramazanit, është muaji i sakrificës por edhe i begatisë njëkohësisht, duke e begatuar shpirtin tonë drejt unitetit dhe solidaritetit. Është muaj i tolerancës, faljes e i pajtimit.
Urojmë që lutjet tona këtë muaj të bekuar të shkojnë për shëndetin tonë, të familjeve tona dhe mbarë njerëziimin, aq më tepër kur situata me pandeminë na ka krijuar një lidhje më të madhe se më parë. Agjerim të lehtë, dhe shëndet të mirë!

Menduh Thaçi:

Të nderuar qytetarë, në vigjilje të muajit të Ramazanit, populli jonë ballafaqohet me një situatë të jashtëzakonshme. Besoj që ky është një moment i volitshëm të reflektojmë dhe të jemi më solidarë me skamnorët e me ata të cilët kanë telashe. Kam bindje të plotë se bashkërisht do të dalim prej kësaj situate. Në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit uroj që agjërimi, lutjet dhe të gjitha adhurimet tuaja gjatë këtijë muaji të shenjtë të jenë të pranuara, si dhe t’ju sjellë shëndet, paqe dhe harmoni në familjet tuaja. Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare t’ju uroj shëndet, mirëqenie dhe agjërim të lehtë në muajin e Ramazanit.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *