Shkrimet e fundit të Albin Kurtit në Facebook, kanë të bëjnë veç me Shqipëri.
Ky po bën fushatë për tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje andej kufirit.
E kjo sjellje me shumë gjasë do të ndikojë edhe më shumë në prishje të disponimit kur të takohet me Edi Ramën herën e ardhshme.
Kryeministri i Kosovës, në shtetin e homologut shqiptar do të shkojë përsëri të dielën e 25 prillit, por jo për t’u takuar me kryeministrin shqiptar, por për të votuar, meqë posedon pasaportë të Shqipërisë.
Se po bën fushatë Kurti, tashmë Rama e di fare mirë.
Veç rivalitetit politik, këta dy nuk u morën vesh edhe për një çështje me shumë rëndësi për qytetarët.
Kurti i kërkoi Ramës vaksina për mësimdhënësit, çka pranoi ky i fundit.
Por, më pastaj, vaksinat ishin kineze, të cilat Qeveria e Kosovës i refuzoi.
E Arbër Zaimi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, ka thënë se Rama deshi t’i japë Kosovës vaksina kineze, pasi që erdhi në Qeveri Albin Kurti, meqë më herët kishte në plan t’i dhurojë Kosovës vaksina Pfizer.
Rama, deri tashti ka siguruar mbi një milion vaksina kundër virusit korona, nga Evropa, Kina e Rusia.