Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndërmarrë masa të reja për të frenuar përhapjen se koronavirusit në vendin tonë.
Konkretisht është vendosur ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
Po ashtu Komiteti Teknik i ekspertëve ka vendosur ndalimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.
Një ditë më parë në të gjithë vendin tonë u konfirmuan 1239 persona të infektuar, ky një rekord që nga fillimi i pandemisë dhe 16 humbje jete. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është shprehur se ka dyshime të forta se në vendin tonë kanë hyrë variantet e reja të koronavirusit, kjo shpjegon sipas saj edhe shtimin e infektimeve në vendin tonë.
Fjala e ministres Manastirliu:
Do të doja të sillja në vëmendjen tuaj dhe të qytetarëve shqiptarë, gjendemi në një moment sa delikat dhe të rëndësishëm.
Ndodhemi në një situatë kur, dyshimet e arsyeshme na bëjnë të mendojmë për praninë e mutacioneve të reja të virusit.
Jemi në një situatë kur, me gjasë prej këtyre mutacioneve, kemi një shtim të ndjeshëm të infektueshmërisë.
Jemi në një kohë kur, kushtet atmosferike – jemi në mes të dimrit – e bëjnë edhe më të pafavorshme situatën.
Jemi në një situatë kur, kemi shtim të numrit te infektimeve, kemi ulje të moshës së të prekurve si rrjedhoje dhe e relaksimit të sjelljes pas festave të fundvitit dhe periudhës më pas,
ndaj si pasojë e çfarë përmenda më sipër kemi një shtim të ndjeshëm të misioneve të Urgjencës Kombëtare, të misioneve në banesë dhe transferimeve në spitale.
Kjo situatë është shoqëruar dhe shtim të shtrimeve në spitale dhe rritje të numrit të pacienteve në terapitë intensive.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar mbi baza ditore situatën, dhe po ndjek në dinamikë treguesit epidemiologjikë dhe kriteret e riskut.
Mbi bazën e një analize shumplanëshe, bazuar dhe në ekperiencat tashmë të fituara për gjatë këtyre muajve, në lidhje me impaktin e masave të intensitetit të moderuar, Komiteti i Ekpertëve ka vendosur në mbledhjen e ditës së sotme, me parimin e palëkundur për mbrojtjen e shëndetit dhe
jetës së qytetarëve, këto masa:
– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e
mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave
shëndetësore dhe për arsye pune për një periudhe 14 ditore, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, lokaleve, nga ora
20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën
15-24 vjeç, shkollat e mesme ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, do të aplikojnë skenarin e tretë, pra mesimin online për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
– Sezoni i provimeve për universitetin rekomandohet të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për
lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të bere nga MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.
Këto ishin vendimet e sotme të cilat hyjnë në fuqi duke filluar nga
dita e enjte dhe do të rivleresohen pas dy javësh, në varësi të situates epidemiologjike dhe treguesve që ekspertët monitorojne.
Per rregullat qe kemi aktualisht dhe per keto masa te reja te sapo shpallura, nuk do të ketë tolerancë për moszbatimin e masave dhe protokolleve antiCOVID. TaskForca AntiCOVID do të jetë 24 orë në terren për të monitoruar zbatimin e masave, në cdo cep të vendit.
Dy javët e ardhshme janë vendimtare.
Janë vetëm dy javë dhe nga gjithësecili kërkohet një sakrificë.
Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh.
Mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore.
Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë: do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim.
E kuptoj shumë mirë shqetësimin, por e kam thënë dhe e përsëris: në piramidën e të drejtave, Shëndeti ka qenë është dhe do të mbetet në majë të kësaj piramide.
Tre janë fjalët kyçe këtë fazë kritike në të cilën ka mbërritur pandemia, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe kudo në botë:
MOBILIZIM
RESPEKT
PERKUSHTIM
Mobilizim nga të gjithë, stafe mjekësore dhe qytetarë për të zbatuar rregullat, dhe duke bërë kështu, shpëtuar jetë familjarësh, miqsh, të njohurish.
Respekti për rregullat është respekt për jetën, për veten, për prindin, për të afërmit.
Përkushtim për një tjetër sforco në përpjekjet tashmë pothuaj një-vjeçare përballë një pandemie që më lejoni ta kujtoj sërish, pllakos një herë në njëqind vjet dhe e cila ka vënë në vështirësi serioze sistemet shëndetësore kudo në botë (Portugalisë i kanë shteruar shtretërit dhe po kërkon ndihmë urgjente nga vendet e tjera të BE).
Ju ftoj dhe një herë ta marrim me seriozitetin që kërkon situata.
Shumëkush mund të jetë lodhur, por një gjë është e sigurt: Virusi nuk është lodhur.
Ai është nëpër këmbë dhe në ka një gjë që na ka treguar ky vit, ajo është: Virusi “bën festë” dhe gjen shtigje, çdo herë që relaksohemi dhe ulim vigjilencën, duke gënjyer veten pikësëpari, se ia hodhëm.
Jo, nuk ia hodhëm. Eshtë një luftë që vazhdon kjo.
Më lejoni ta përsëris:
Zinxhirin e infeksionit do ia dalim ta këpusim vetëm përmes zinxhirit të solidaritetit mes nesh. Qytetarë, autoritete, media, të gjithë bashkë.