Protesta për rastet e montuara gjyqësore! “Kërkojnë lirimin e të burgosurve”

Ashtu si herën e fundit, edhe sot në ora 13:30 filluan të mblidhen protestuesit në parkun e Çairit.

Me vete mbanin transparentët.

E kur u mblodhën të gjithë personat që kishin dalë për të protestuar, organizatori i protestës Bedri Ajdari, kishte një mesazh para se të marshonin.

 “Në mënyrë paqësore të rreshtohemi të shkojmë t’i tregojmë Qeverisë së Maqedonisë se ne jemi njerëz paqësorë por duam drejtësi”, tha Bedri Ajdari – organizator i protestës.

Gjatë marshit disa qytetarë iu bashkuan protestës.

Në gjysmë të rrugës, tek ura e Bit Pazarit disa të rinj pritën protestuesit me një flamur gjigand, të cilët e shpalosën para protestuesve.

Për dallim nga protesta e 26 shkurt këtë herë protestuesit mundën të shkonin deri para Qeverisë për t’i deklaruar kërkesat e tyre.

 “Ne këtu nuk po kërkojmë lëmoshë, por po kërkojmë drejtësi. Drejtësi evropiane e jo politike, ku krimi nuk dallohet nga përkatësia etnike por nga vepra e bërë. Në këtë shtet kërkohen shqiptarë për tu montuar rastet. Pikërisht, kështu ndodhi me Sopotin, me Alfan dhe në fund me rastin Monstra, ku udhëheqës politik kërkuan patjetër shqiptarë për tua mveshur rastin dhe përmes deklaratave të dhunshme dhe dëshmitarë të koduar ti dënojnë pa pikë faji me burgim të përjetshëm”, shtoi Bedri Ajdari – familjar i të dënuarve të rastit “Monstra”.

Shpëtim Pollozhani njëri nga organizatorët tha se protestat e tilla do të vazhdojnë, por do të jenë gjithëpërfshirëse për të drejtat e shqiptarëve.

 “Unë mendoj se tash e tutje protestat e ardhshme nuk duhet më të përkufizohen ne raste të veçanta  por duhet të shndërrohen në kërkesa politike sikurse siç është ndryshimi i Kushtetutës”, potencoi Shpëtim Pollozhani.

Për dallim nga protesta e kaluar, kësaj radhe kishte më pak protestues, njëri nga organizatorët e protestës tha se represioni policor i ushtruar në protestën e parafundit ka frikësuar qytetarët të dalin lirshëm të shprehin revoltën kundër siç thonë ata rasteve të montuara. Ndryshe në protestën e kaluar për “Monstrën” 3 nga protestuesit janë dënuar me nga një vit burg. Ajdari kërkoi që ata të lirohen urgjentisht sepse arrestimi dhe dënimi ishte politik dhe me qëllim të mbylljes së zërit protestues.TV21

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *