Sonte nuk do të ketë seancë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për shtyrjen e regjistrimit, nuk dihet asgjë për nesër

Kryeministri, Zoran Zaev dhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski janë dakorduar rreth të gjithave temave të takimit të sotëm, ku nuk ishin pjesëmarrëse partitë shqiptare. Përkatësisht, ata arritën marrëveshje për prolongim të regjistrimit të popullsisë, rreth imunizimit të popullatës, zhbllokimit të Kuvendit dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat duhet të miratohen në Kuvend.

I pyetur nëse në të ardhmen do të ketë takim të formatit më të zgjeruar ku do të marrin pjesë edhe partitë shqiptare, Mickoski u shpreh se, për momentin nevojitet kualitet dhe jo kuantitet.

“Biseduam se edhe në të ardhmen, nëse ka nevojë për lloj të këtillë të takimeve mes meje dhe Zaevit se do të ketë takime të këtilla edhe në të ardhmen, pse jo ajo të jetë e zgjeruar edhe në format më të ndryshëm. Por, duke pasur parasysh karakterin dhe rëndësinë e momentin nevojiten rezultate, kualitet dhe jo kuantitet”, tha Mickoski.

Ai tha se, janë dakorduar rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe që nesër në rendin e ditës në kuadër të Kuvendit do të jetë ndryshimi që ka të bëjë me terminalin e gjurmëve të gishtit dhe presin që të votohet në kuadër të Kuvendit.

“U dakorduam që të inkurajojmë negociatat, përkatësisht grupet parlamentare kanë biseduar për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshimi i modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, apo nëse ka propozime të reja. Më tej, lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të kryetarit të komunë në rrethin e parë me atë që do të jetë ë mjaftueshme një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë komunë ku zgjedhet kryetari dhe në fund është votimi nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë përfaqësive diplomatike dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, tha Mickoski.

Ai po ashtu deklaroi se VMRO DPMNE do të bashkëpunojnë me shumicën parlamentare, për zhbllokimin e punës së Kuvendit dhe për miratimin e ligjeve të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët.

“VMRO-DPMNE do të punojë në kuadër të Kuvendit së bashku me shumicën parlamentare për të gjitha ligjet që ka të bëjë me agjendën reformuese dhe integrimin e Maqedonisë në BE dhe të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me mbështetjen e ekonomisë, qytetarëve dhe luftën kundër pandemisë. Ajo që momentalisht është bllokuar në procedurat parlamentare u pajtuam se duhet të zhbllokohet, përkatësisht së bashku opozita”, deklaroi lideri i opozitës.

Sa i përket procesit të imunizimit të popullatës, Mickosi tha se është informuar nga Zaev se, gjatë muajit prill pritet të arrijnë në vend rreth 350,000 vaksina me çka do të fillojë procesi i imunizimit masiv i popullatës.

Ndërkohë, kryeministri Zaev tha se, kanë arritur marrëveshje që për shkak të imunizimit të popullsisë, mundësia për marrjen edhe të vaksinës së dytë nga ana e regjistruesve, ta prolongojnë regjistrimin e popullsisë në vend duke filluar nga 5 shtatori deri më 30 shtator, me çka do të prolongohen zgjedhjet për në pjesën e dytë të dhjetorit.

“Gjatë takimit bëmë një pauzë, me çka shfrytëzova rastin ta konsultoj presidentin e shtetit, kryetarin e Kuvendit, ministrin e Drejtësisë dhe drejtorin e statistikave, si dhe partnerët më të mëdha të koalicionit BDI dhe BESA, ndërsa të mërkurën kam takim edhe me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën me të cilët do të diskutojmë për nënshtetësitë por edhe për këto tema që biseduam sot”, tha Zaev.

Kryeministri shtoi se kjo nuk është një marrëveshje maqedonase.

“Sot jam konsultuar me BDI-në dhe BESA-n për të treguar se kjo nuk është marrëveshje mes maqedonasve Zaev dhe Miskoski. Kjo është diçka që na vë në pozitë si dy parti politike më të mëdha në shtet, por ne nuk jemi vetëm as në Kuvend, as në opozitë as në Qeveri. Kam thirr për të konsultuar. Ata e kanë pranuar aryseshmërinë në pjesën e kërkesa. Anulimi do të thotë imunizim ma të madh, qeveria duhet të pranojë argumentime, dhanë pajtim edhe BESA edhe BDI, besojë edhe partitë tjera. Është me rëndësi që kam konsultuar kryetarin e Kuvendit, presidentin, ministrin e Drejtësisë, drejtorin e statistikave”.

Zaev tha se me Mickoskin janë dakorduar edhe për zhbllokimin e Kuvendit.

“Pjesa që e kemi dakorduar për zhbllokimin e Kuvendit është e rëndësishme, përkatësisht ligjet siç janë për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme, pakoja e pestë e masave, ligjet për qendër klinike, ligji për nënshtetësi, ligjet për pensionim, ekologji, ligjet për agjendën evropiane. Besoj se në periudhën që vijon do të ketë atmosferë më të rehatshme dhe shtëpia ligjvënëse do të zhbllokohet”, tha Zaev.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *