Kryeministri Zoran Zaev pas takimit të ditës së hënë me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, për sot në orën 10:00 ka paralajmëruar takim me përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.
Sipas Zaevit, takimi bëhet me kërkesë të ASH-së dhe Alternativës, ndërsa do të marrin pjesë edhe ministri për Punë të Brendshme, ministri i Drejtësisë, si dhe koordinatorët e LSDM-së, VMRO-së, BDI-së dhe Lëvizjes Besa.
Zaev dje tha se në Qeveri ekziston vullneti të gjendet zgjidhje për propozim-ligjin për shtetësi, i propozuar nga ASH dhe AAA, që bazohet në praktikat evropiane.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, dje në konferencë të përbashkët me kryetarin e ASH-së Ziadin Sela, tha se nuk kanë marrë ftesë për takimin që e ka paralajmëruar kryeministri.
Kurse presidenti Stevo Pendarovski, dje pas seancës së Këshillit për Siguri tha se pret që në takim të arrihet kompromis dhe të zhbllokohet Kuvendi.