Në sallën 1 tetori në Prishtinë tashmë kanë nisur përgatitjet për shpërndarjen e vaksinave Anti-COVID, pas furnizimit me 24 mijë doza nga COVAX.
Në sallën “1 tetori” tashmë ka ardhur ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku i cili tha se janë duke biseduar që vaksinimi për profesionistët shëndetësor të kësaj klinike të filloj nesër, po në Klinikën Infektive.
Ai tha se aktualisht në këtë klinikë janë të mbushura kapacitete spitalore.
Nga salla “1 tetori” është parë duke dalë edhe doktoresha nga OBSH, Isme Humolli.
Ajo nuk pranoi të jap detaje rreth çështjes së vaksinimit.
Kujtojmë që kryetarët e komunave kanë biseduar sot me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, rreth shpërndarjes së vaksinave Anti-COVID, të cilat kanë arritur të dielën në Kosovë
Express mëson se në takimin virtual të Vitisë me kryetarët e komunave, është thënë se dozat e para të vaksinave do të shpërndahen te stafi mjekësor dhe te të moshuarit mbi 80-vjeç.
“Diskutuam rreth shpërndarjes së dozave të para të vaksinave. 13 mijë doza do të shpërndahen për stafin mjekësor, 11 mijë për personat mbi moshën 80 vjet dhe që kanë sëmundje kronike”, kanë deklaruar burime të gazetës.