
Të flasim për të rinjtë sot është shumë e rëndësishme dhe një temë që duhet trajtuar me kujdes. Krahasimi mes të rinjve të së kaluarës dhe atyre të sotëm tregon një dallim shumë të madh.Mendimi im për këtë krahasim nis nga përparimi i teknologjisë, i cili ka krijuar një lidhje shumë të madhe me të rinjtë e sotëm, duke bërë që ata të lënë anash leximin e librave, kalimin e kohës me familjarët dhe shoqërinë.
Ndërsa tek të rinjtë e së kaluarës, teknologjia nuk ka qenë aq e përhapur. Ata e shfrytëzonin kohën e lirë duke kaluar momente me bashkëmoshatarët, familjen dhe duke pasuruar mendjen e tyre përmes leximit të librave.Gjithashtu, të rinjtë e sotëm, shumica e tyre, kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe ndihmë. Në shoqërinë tonë sot janë të pranishëm bullizmi, talljet dhe ofendimet mes të rinjve, gjë që shkakton probleme serioze, madje mund të çojë edhe në dëmtim të vetvetes. Në të kaluarën, këto probleme nuk ishin kaq të përhapura; të rinjtë qëndronin pranë njëri-tjetrit si në të mirën ashtu edhe në të keqen.
Një tjetër dallim i rëndësishëm është mënyra se si të rinjtë e sotëm i qasen përgjegjësive. Në të kaluarën, të rinjtë ishin të detyruar të merrnin më herët përgjegjësi për jetën e tyre, qoftë duke ndihmuar familjen në punë, duke pasur një disiplinë më të madhe apo duke u përgatitur për të ardhmen me më shumë seriozitet. Ndërsa sot, shumë të rinj janë më të përqendruar te argëtimi dhe përdorimi i rrjeteve sociale, duke i lënë anash përgjegjësitë dhe detyrimet që do t’i ndihmonin për një të ardhme më të sigurt.Këto janë disa nga dallimet mes të rinjve të së kaluarës dhe atyre të sotëm. Sipas mendimit tim, rinia e ardhshme mund të jetë edhe më e vështirë se ajo e sotmja, pasi mungojnë masa efektive nga psikologët, mësimdhënësit dhe prindërit, të cilët shpesh nuk i kushtojnë vëmendje shqetësimeve dhe gjendjes emocionale të fëmijëve të tyre.
Nëse duam që të rinjtë e së ardhmes të përparojnë në të gjitha aspektet, duhet të marrim masa sa më parë, përpara se të ndodhë diçka që nuk mund të zgjidhet më. Për këtë arsye, është e domosdoshme që edukimi dhe vetëdijësimi të fillojnë sa më herët, si në shkollë ashtu edhe në familje. Vetëm në këtë mënyrë, të rinjtë do të jenë në gjendje të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe shoqërinë.Rinia është periudha më e vlefshme për çdo njeri, ndaj të gjithë duhet të përpiqemi ta shijojmë këtë kohë në mënyrën më të mirë të mundshme.