
Shruan: ShabanSinani
Në vigjilje të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtit, në Tetovë u realizua aktiviteti kulturor festiv “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë”, në hapësirat e Organizatës Loja. Me moton Tetova feston Pavarësinë u mbajt aktiviteti letrar“Ora e Pavarësisë” dhe promovimi i librave me poezi të autorit Hasan Elshani, “Çelësi i portës ” dhe “Gjarpri nën gur”. Pjesëmarrës ishin poet nga Kosova, Shqipëria, Sllovenia e Maqedonia, nga Peshkopia, Vitia, Drenasi,Tetova, Gostivari, Shkupi. Organizatore e këtij eventi letrar ishte poetesha tetovare Sadije Aliti.“Rrugëtimi i shtet-bërjes së Kosovës, rrugëtim i gjatë dhe i mbushur me plot lavdi, kjo datë e rëndësishme, me një aktivitet simbolik e artistik të shënohet edhe në Tetovë, të titulluar “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë” me një simbolikë të numrit 17, që shënon datën e 17 Shkurtit. Historia shqiptare, ndër shekuj dëshirën për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar e ka shënuar me gjakun e dëshmorëve e të rënëve, të pishtarëve të dritës që e deshën më shumë atdheun se jetën, duke i nderuar e duke i kujtuar është më e pakta që mund të bëjmë”- theksoi Sadije Aliti.

Një vlerësim rreth librave të autorit HasanElshani,”Çelësi i portës ” dhe “Gjarpëri nën gur”, prezantuan Sadije Aliti, recensente dhe kritiku letrar Rami Kamberi.
Hasan Elshani, në fjalën përshëndetëse theksoi se në Tetovë ka qenë disa herë në aktivitete kulturore e letrare dhe se është poezia ajo që e takoi edhe me krijuesit në Maqedoninë e Veriut, është një nder i veçantë që po i bëhet krijimtarisë sime letrare me këtë promovim, dhe një nder edhe më i madh që i bashkëngjitet manifestimit festiv për Pavarësinë e Kosovës.

Gjithmonë është thënë se poezisë, princeshës së artit, i ka hije edhe jehona e muzikës, kështu që ky aktivitet ishte i shoqëruar edhe me tingujt e kitarës të nxënëses Donjeta Rexhame melodinë e këngës“Lule borë” dhe me tingujt e flautës dhe melodia e këngës “Hajredin Pasha” e luajtur nga nxënësja Merita Emurllai.Ëmbëlsia e aktivitetit ishin nxënësit e klasës së pestë nga Shkolla fillore e Tearcës, me veshje kombëtare të zbukuruar e të stolisur, ata kërcyen vallen popullore “Fyelli e çiftelia” të përgatitur me shumë kujdes nga mësuesja Bukurie Hazari.
Në orënletraretë titulluar “Ora e Pavarësisë”vargjet e tyre poetike i lexuan17 poetë, për 17 vjetorin e Pavarësisë: Behare Neziri, Ejup Ajdini, Daim Iljazi, Rami Kamberi, Bajramali Selimi, Hasan Elshani, Jusufzija Ademi, Merita Abazi, Mejreme Kajolli-Tusha, Miranda Troçi-Derti, Merita Isaku, ZymerHaliti,Muaxher Haruni, Merita Emërllahi, Eneida Emini, Bejza Isaki, Sadije Aliti. Ky aktivitet u përkrah edhe nga kryesia e Shoqatës së shkrimtarëve Oeneum në Tetovë dhe ABC-poetike dhe të dashamirëve të fjalës së shkruar.

Manifestim mbahet në shenjë respekti e kujtese për të gjithë ata patriotë, trima e trimëresha, dëshmorë e martirë, burra, gra e fëmijë që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që e gëzojmë sot, që na e lanë trashëgimi gjuhën dhe Atdheun, bashkë me amanetin e tyre për bashkimin e kombit.


