Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, ka mbledhur prova një vit, për ta realizuar aksionin anti-drogë të së premtës së 25 marsit, në disa rajone të Shkupit, njofton Insajderi.
Prokurorja e vendit fqinj, Villma Ruskovska, duke dhënë më shumë detaje rreth këtij aksioni njoftoi se 21 persona janë ndaluar, ndërsa po kërkohen edhe disa të tjerë. Të njëjtit tha se për momentin janë në disa stacione policore të Shkupit.
Më tej, njoftoi se bëhet fjalë për një aksion anti-drogë, për të cilin tha se janë zbatuar masa të posaçme hetimore, si përgjim i komunikimeve në telefon si dhe përcjellje.
E pyetur nëse personat në fjalë dyshohen edhe për pastrim parash, Ruskovska tha se nga e hëna do të nisin edhe hetimet financiare.
“Ne kemi prova se këta të arrestuar ka kryer vepër penale trafikim droge dhe të lëndëve tjera narkotike. Nuk deshëm para aksionit të realizojmë hetim financiar, kishim frikë se mos të na dështoj i gjithë aksioni. Por, nga e hënja besoj se do të filloj edhe hetimi financiar”, theksoi ajo.
Prokurorja Ruskovska tha se për momentin nuk ka policë të arrestuar që kanë bashkëpunuar me të arrestuarit, por që do të hetohet në bazë të ekspertizës së telefonave të konfiskuar.
“Tani nuk ka zyrtarë policor, por do të shohim më tej, do të kryhet ekspertizë në telefonat që janë marrë dhe në qoftë se gjinden komunikime, sigurisht që do të jenë të dyshuar edhe persona zyrtarë. E theksoj, pra nëse gjejmë prova përgjatë hetimit” tha Ruskovska, përcjell Insajderi.
Gjatë ditës së sotme u zhvillua aksion në Gërçec, Gazi Babë, Çair dhe Hasanbeg, ku janë arrestuar 21 persona, ndërsa është sekuestruar drogë, makina, para dhe telefona. Informacione të tjera thonë se do të japin gjatë ditës së nesërme.