Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë e filloi implementimin e projektit “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës në malin Sharr – imperativ shoqëror”. Veprimtaria e parë u realizua më 17.09.2024 në Shkollën e mesme ekonomike “8 Shtatori” në Tetovë. Me këtë rast u mbajt tribuna për domosdoshmërinë e mbrojtjes së florës dhe të faunës në malin Sharr.
Në këtë tribunë morën pjesë nxënësit e shkollës si dhe mësimdhënësit. Kryetari i Shoqatës “Tradita” Selam Sulejmani foli për rëndësinë e projektit dhe për fazat e realizimit të tij në komunën e Tearcës, në komunën e Tetovës dhe në atë të Bogovinës. Duke u bazuar në gjendjen e përtashme të florës, të faunës dhe të vegjetacionit të malit Sharr, ai theksoi se implementimi me sukses i projektit të sipërpërmendur do të ndikojë që institucionet kompetente të marrin masa përkatëse për mbrojtjen e tyre nga shkatërrimi i mëtejshëm.
Ndërkaq profesor Agron Salihi, në cilësinë e ekspertit shkencor theksoi se zona malore e Sharrit shtrihet në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, midis grykës së Kaçanikut në verilindje, luginës së Radikës në perëndim, fushëgropës së Pollogut në lindje dhe juglindje, kufirit shtetëror me Kosovën dhe Republikën e Shqipërisë në veriperëndim e perëndim si dhe luginës së Mavrovës në jug. Brenda kufijve të lartpërmendur, vargmalet e Sharrit kanë një gjatësi prej rreth 80 km dhe një gjerësi prej 10-20 km. Te “Maja e Diellit” ato arrijnë një lartësi prej 2748 m kështu që janë vargmale më të larta të Maqedonisë së Veriut dhe një nga më të lartat e Gadishullit Ballkanik.
“Flora e malit Sharr është jashtëzakonisht e pasur. Të dhënat tregojnë se aty rriten rreth 2.000 lloje bimësh vaskulare që përbëjnë më tepër se gjysmën e florës në gjithë Maqedoninë Perëndimore. Pasuria e florës është rezultat i orografisë komplekse, gjeologjisë, klimës dhe pozitës gjeografike të malit Sharr.
Sipërfaqet e Sharrit me biotopet e ndryshme janë shumë të pasura edhe me faunë. Në to jetojnë lloje të ndryshme të kafshëve të cilat ekskluzivisht janë të lidhura për biotope. Kjo do të thotë se shtrirja e tyre është e ngushtë dhe ato u përkasin llojeve endemike. Ndërkaq, llojet e tjera që hasen në biotope të ndryshme kanë një shtrirje më të gjerë.
Biodiversiteti nënkupton shumëllojshmërinë e formave të jetesës në tokë dhe ndërvarësinë thelbësore të të gjitha gjallesave, duke përfshirë midis tjerash ato tokësore, detare dhe ekosistemet e tjera ujore dhe komplekset ekologjike në të cilat zona bëjnë pjesë” – theksoi midis tjerash profesor Agron Salihi.
Profesoresha Mireme Rushiti e cila bën pjesë në ekipin kryesor të projektit, në këtë tribunë u fokusua te faktorët shkatërrues të biodiversitetit në malin Sharr. Ajo theksoi se shkatërrues kryesorë të florës dhe të faunës janë kushtet klimatike dhe dora e njeriut.
“Kjo çështje në malin Sharr merr edhe një peshë më të madhe për vetë faktin se politikat shtetërore për mbrojtjen e specieve të rralla nuk gjejnë zbatim të duhur. Ndotja e ujërave, e ajrit, përdorimi intensiv i burimeve natyrore si përdorimi i tokës, zënia e tyre nga ndërtimet, hidrocentralet nëpër lumenjtë e Sharrit, shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, gjuetia dhe peshkimi kanë qenë dhe mbeten faktorë kryesorë për shkatërrimin e një pasurie që e posedon mali Sharr” – theksoi profesoresha Mireme Rushiti.
Në këtë veprimtari që zgjoi interesimin e nxënësve dhe të pjesëmarrësve të tjerë, u tha njëzëri se biodiversiteti është jeta jonë, ndaj shkatërrimi i tij rrezikon të ardhmen e njerëzimit. Në këtë fazë të projektit, gjatë muajve tetor dhe nëntor 2024, Shoqata “Tradita” do të mbajë edhe tribuna të tjera në institucionet arsimore në territorin e Komunës së Tearcës dhe të Komunës së Bogovinës.
Projekti “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe të faunës në malin Sharr – imperativ shoqëror” realizohet nga Shoqata “Tradita” në kuadër të projektit “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore (Korab-Koritnik-mali Sharr dhe Alpet Shqiptare), i mbështetur nga CNVP- PONT.
Shënim: Mbështetja e CNVP-s ndaj këtij publikimi nuk përbën miratim të përmbajtjes për arsye se përmbajtja është përgjegjësi e autorëve. CNVP nuk mban përgjegjësi për informacionet e këtij publikimi.