Gjendja sinoptike, fronti i fundit i ftohtë i këtij cikloni dimëror!

Cikloni gjigand i cili na solli dimrin e vërtetë në fillim të pranverës sot është mjaft larg territoreve tona, por ndikimi i tij është ende prezent .Qendra ose vorbulla kryesore e ciklonit tani gjendet besoni apo jo thellë në Azinë Qendrore gjegjësisht në Detin Kaspik dhe nga periferia gjigande e këtij cikloni vazhdon depërtimi i ajrit të ftohtë polar. Në anën tjetër në Mesdhe dhe Evropë është duke u fuqizuar anticikloni i cili po fillon të depërtojë gradualisht edhe në rajonin tonë duke i larguar përfundimisht masat ajrore ciklonike.

Reshjet ose rrebeshet e dendura afatshkurtra të borës sot na i solli fronti i fundit në kuadër të këtij cikloni masiv. Reshjet e herëpashershme sporadike dhe lokale do të vazhdojnë sot gjatë ditës në Kosovë dhe disa vise në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore. Nuk priten reshje të mëdha dhe po ashtu priten edhe rreze diellore ose intervale kohore me diell. Reshjet do të jenë gjithnjë e më të pakta dhe më të rralla, ndërsa nga nesër reshje nuk do të ketë fare.

Dallimi në fushat barike mes ciklonit gjigand në lindje dhe anticiklonit në perëndim pritet të kushtëzojë edhe erëra të fuqishme sot. Në Evropën perëndimore veç ka filluar pranvera e vërtetë dhe pikërisht këto masa ajrore stabile po vijnë edhe te ne, por gradualisht.

Deri në pranverën e vërtetë do të duhet të durojmë të paktën edhe dy netë shumë të ftohta dhe me acar të fortë. Veçanërisht vlenë të përmendet nata e sontme e cila pritet të jetë më e ftohta me temperatura minimale rreth -10 gradë Celsius./Meteoballkan

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *