Të enjten në Tiranë u mbajt Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës. Samiti kishte në fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në samiti ishte i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe investime që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e ndihmës financiare.