S’ka mjaftueshëm material për pasaporta? Vazhdon kaosi dhe pritjet për nxjerrje të dokumenteve

“Tollovi dhe pritje të gjata për nxjerrjen e dokumenteve personale. Qytetarët përveçse për pritje të gjata ankohen edhe se nuk mund të nxjerrin pasaporta me procedurë të zakonshme, por duhet të paguajnë më shumë, gjegjësisht, pasaporta mund të marrin vetëm me procedurë urgjente”, raporton Almedina Ismajli, gazetare e TV21.

Të punësuar në njësitë për nxjerrjen e dokumenteve personale, prapa kamerës na thanë se nuk ka materiale për pasaporta dhe se aktualisht jepen vetëm pasaporta me procedurë të shpejtë. Zv/ministri i brendshëm Mitko Bojmacaliev, duke folur për mungesën e materialeve për pasaporta, thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë sabotim nga ministrit të brendshëm aktual.

“Askush nuk po saboton askënd në këtë Ministri. Vetëm do të them se ditën kur është bërë pranim-dorëzimi mes ministrit Spasovski dhe ministrit Toshkovski kanë ardhur 50 mijë materiale, ditën tjetër kanë ardhur 20 mijë, nuk bëhet fjalë për ndonjë sabotim. Ne presim një dërgesë më të madhe deri në fund të muajit. Gjithashtu në muajin qershor vjen një dërgesë e madhe që do të plotësojë të gjitha nevojat e qytetarëve, atyre që kanë bërë foto për të marrë dokumentet”, theksoi Mitko Bojmacaliev – zv/ministër shtesë i Punëve të Brendshme.

Ndryshe deri në këtë moment, mbi 1.300.000 qytetarë kanë ndërruar dokumentet e udhëtimit. Lidhur me informacionet se disa shtete lejojnë hyrjen në vendet e tyre me dokumente të vjetra udhëtimi, zëvendësministri shtesë tha se vendet duhet të vendosin përfundimisht për këtë cështje dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i nxjerrin dokumentet e reja për të  mos pasur telashe.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *