Kuqezinjtë përforcojnë repartin defanziv me angazhimin e mbrojtësit të djathtë, Stefan Kocev.
KF Shkëndija ka kënaqësinë të bëjë një njoftim zyrtar për një tjetër transferim në skuadër. Stefan Kocev, mbrojtësi i djathtë 29-vjeçar, ka nënshkruar kontratën e tij 1.5 vjeçare me klubin kuqezi. Kocev vjen në Tetovë pas një eksperience shumë pozitive në Kazakistan, derisa është shquar në klube të ndryshme në vendin dhe rajonin përreth.
“Ndjehem shumë bukur që firmos me një prej klubeve më të mira në Maqedoni. Gjithsesi se do të luftojmë për të dalë kampionë. E dimë se Shkëndija ka numër të madh të publikut, e cila është lojtari i 12-të në çdo ndeshje. Unë gjithmonë jap maksimumin tim dhe premtoj se në çdo ndeshje do të lë zemrën në terren“, tha Kocev, pasi zyrtarizoi bashkëpunimin me Shkëndijën.
Me përvojë serioze në mbrojtje dhe një profil interesant edhe në detyrat ofenzive, Kocev pritet të shtojë cilësinë në përbërjen e skuadrës.
KF Shkëndija i uron mirëseardhje Stefan Kocevit, duke i dëshiruar shumë suksese në fanellën kuqezi.