Formimi i Qeverisë teknike/ Procedura nis në fund të javës së ardhshme

Javën e ardhshme në Kuvend do të mbërrijnë dorëheqjet e kryeministrit dhe ministrave, në mënyrë që t’i hapet rrugë Qeverisë teknike që do ta menaxhojë vendin në 100 ditët e ardhshme, deri në zgjedhjet e 8 majit. Kovaçevski informoi se për procedurën e formimit të Qeverisë teknike në mëngjes ka biseduar dhe është konsultuar me kryeministrin dhe kryeparlamentarin e ardhshëm në kohën e Qeverisë teknike, Talat Xhaferi dhe Jovan Mitrevski.

“Kemi folur për kornizën ligjore, për dorëheqjen, zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë teknike. E gjithë procedura do të zhvillohet sipas afateve ligjore në fund të javës së ardhshme.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski për takimin me Mickoskin: Janë çështje teknike, zgjidhen edhe nëpërmjet telefonit

Ndonëse ishte paralajmëruar se Kovaçevski dhe lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, do të merren vesh për detajet e përbërjes së Qeverisë teknike në një takim tet a tet, Kovaçevski thotë se janë çështje teknike të cilat mund të dakordohen në telefon.

“Sa i përket VMRO-DPMNE-së, kemi komunikim me kryetarin e partisë, Hristijan Mickoski. Jo të gjitha takimet duhet të jenë në dhomat e mbledhjeve, disa gjëra mund të bëhen në telefon. Besoj se ka gjëra që mund të bëhen që janë të natyrës teknike – si propozimi i ministrave në Qeverinë teknike dhe pajtimi i kushteve.”, – theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Afati për zgjedhjen e Qeverisë teknike është 28 janari, por ende nuk është përcaktuar se në cilën ditë do të caktohet kjo seancë për zgjedhjen e Qeverisë teknike. Varet nëse opozita do të diskutojë për dy ditë apo do të bëhet ndonjë marrëveshje e brendshme që kjo seancë të zgjasë vetëm një ditë, ndaj në varësi të kësaj do të caktohet për 27 dhe 28 janar. Përveç caktimit të seancave për zgjedhjen e kryeministrit teknik dhe Qeverisë teknike, pritet edhe ekipimi i qeverisë kalimtare. LSDM-ja ka përcaktuar emrat e ministrave, ndërsa priten emrat e ministrave të VMRO-DPMNE-së.

Nga opozita maqedonase kanë bërë të ditur se do t’i përcaktojnë emrat pas festave, e kjo do të thotë deri në fund të kësaj jave. Kjo do të kompletojë përbërjen e qeverisë kalimtare, e cila ka rolin e organizimit të zgjedhjeve, të cilat janë caktuar për 8 maj, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *