Me rastin e përfundimit të vitit kalendarik, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, shpalosi rezultatet e realizuara gjatë vitit 2023. Drejtori Rustemi theksoi se në vitin 2023 janë realizuar gjithsej 400 milionë euro investime kapitale. Ai mes tjerash potencoi se në periudhën kohore janë ndërtuar dhe janë në fazën e realizimit afër 900 km rrugë.
“.Realizimi i projekteve tona po zhvillohet ndër vite. Gjatë periudhës 2021 – 2023 janë ndërtuar, rikonstruuar dhe rehabilituar rrugë shtetërore në gjatësi prej 630 km, nga të cilat një pjesë më e madhe e tyre 40 vite nuk janë vënë në rendin e ditës dhe të cilat kanë qenë në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Prioriteti ynë ishin të gjitha rrugët që të shpien drejt vendkalimeve kufitare. Të përfunduara janë akset rrugore:Manastir – Mexhitli (12 km), Podmolje – Strugë – Qafë Thanë(20,5 km), Shkup – Bllacë ( 10 km), Hanet e Mavrovës – Zhirovnicë (18,3 km), Katllanovë – Veles (8, 4 km), Tetovë – Xhepçishtë ( 4 km), Kumanovë – Stracin (31 km), Ropalcë – Matejç (2,8 km), Karpallak – Zhelinë (12 km) si dhe disa akse rrugore”, theksoi drejtori Rustemi. Ai më tej shtoi se në rrjedhë është ndërtimi i 160 km autostradë dhe 51 km rrugë eksprese, si dhe ndërtimi dhe rehabilitimi i 65 km rrugë rajonale me vlerë investuese prej mbi 2 miliardë euro.
“Ato janë drejtimet rrugore në vijim: ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër (57 km), ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë(2 km), Korridorit 8 dhe Korridorit 10 d (110 km), ndërtimi i rrugës eksprese Kriva Pallankë – Dllaboçicë – Stracin (25,5 km), ndërtimi i rrugës së re rajonale Izvor (lidhja me A2) Ura e Garës (19 km), ndërtimi i qarkores në Tetovë përmes nyjes rrugore Trebosh deri në Neproshten (5,4 km) si dhe të disa akseve rrugore”, u shpreh drejtori Ejup Rustemi.