Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të pritet të premten në Berlin në kuadër të një vizite që po i bën Gjermanisë në kohën kur dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme për luftën e Izraelit me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Erdogan do të takohet me kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier.
Kancelari Scholz e kishte ftuar presidentin turk në vizitë në muajin maj, pas rizgjedhjes së tij për president.
Turqia shihet si një partner i vështirë, por thelbësor në Gjermani – shteti në të cilin jetojnë më shumë se 3 milionë njerëz me prejardhje turke.
Edhe pse ka pasur tensione në vitet e fundit, shteti gjithashtu është aleat i NATO-s në përpjekjet për të kontrolluar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve në Evropë.
Kjo vizitë ka mbetur nën hije pas rritjes së hendekut midis qëndrimeve të dy vendeve sa i përket ngjarjeve pas sulmit të grupit ekstremist palestinez Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor.
Gjermania është një aleat i vendosur i Izraelit dhe ka kundërshtuar thirrjet për një armëpushim, ndërsa shtyn për ndihmë për civilët në Gaza, duke bërë thirrje për “pauza humanitare” dhe duke kërkuar të mbajë kanale të hapura komunikimi me vendet e tjera në rajon për të parandaluar përhapjen e konfliktit.