“NËSE NUK KA KONSENSUS, VETË DO T’I SHPALLË ZGJEDHJET”
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u dha afat partive politike parlamentare që deri në fund të vitit, të dakordohen në lidhje me terminët për mbajtjen e zgjedhjeve. Ai paralajmëroi se nëse nuk e bëjnë këtë brenda këtij afati, atëherë do të duhet të veprojë vetë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe t’i shpallë zgjedhjet.
“Unë në fund të fundit do të respektoj afatet kohore kushtetuese dhe ligjore. Deri në fundvit, partitë politike pjesëmarrëse në Kuvend duhet të dakordohen, nëse dakordohen për datë të mundshme brenda afateve të parapara me kushtetutë dhe kodin zgjedhor. Ritheksoj edhe një herë, zgjedhjet presidenciale duhet bëhen brenda 60 ditëve të fundit të mandatit. Data cila do të jetë duhet të dakordohen, nëse nuk dakordohen përcaktoj unë duke respektuar të gjitha afatet kohore të cilat kam për obligim t’i respektoj” – tha Talat Xhaferi.
Ai shtoi se, si kryetar i Kuvendit, është i obliguar që të sigurojë kohën e përcaktuar me kushtetutë dhe ligje, që të organizohen zgjedhjet dhe nuk do të lejojë që të shkelen afatet.
“Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, afati i rregullt është brenda 90 ditëve të fundit të mandatit dhe nëse nuk dakordohen, përsëri është kompetencë dhe obligimi im që unë të vendosi konform afateve dhe përcaktimeve kohore që janë të sanksionume në kushtetutë dhe ligj. Kështu që, apeli është të kenë konsensus nëse duan konsensus, ndërsa zgjedhjet me ose pa konsensus do të mbahen në afatet kohore” – tha Talat Xhaferi.