Në evidencën e shërbimeve të mjekëve amë në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 428.759 raste të hipertensionit esencial (primar). Nga këto raste 255.658 janë gra, ndërsa 173.101 janë burra, tregon analiza e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore, shkruan Meta.
Stili i keq i jetesës, gjegjësisht obeziteti, pasiviteti dhe ajri i ndotur, janë vetëm disa nga faktorët e rrezikut që kontribuojnë në shfaqjen e hipertensionit (tensionit të lartë të gjakut). Në vendin tonë nuk ka statistika zyrtare për numrin e saktë të personave me këtë diagnozë, por mjekët internistë dhe kardiologë thonë se numri është në rritje, ndërkohë që vihet re edhe një rënie e kufirit të moshës.
Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Bankës Botërore përgatiti dhe publikoi rezultate të analizës për hipertensionin në vendin tonë. Sipas kësaj analize, në evidencën e shërbimeve të mjekëve amë në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 428.759 raste të hipertensionit esencial (primar). Nga këto raste 255.658 janë gra, ndërsa 173.101 janë burra. Numri më i madh bën pjesë në grupmoshën nga 65-74 vjeç.
“524.000 persona të rritur janë në rrezik nga hipertensioni. Popullata e cila konsiderohet si në rrezik në të shumtën e rasteve bën pjesë në grupmoshën nga 18 deri më 54 vjet, e sidomos në mesin e meshkujve me gjithsej 173.000 diagnoza të raportuara të hipertensionit. Edhe pse vlerësimet për popullatën e rrezikuar janë të pa sigurta, statistikat e mjekëve amë tregojnë se gratë janë më të përfshira në kujdes se sa burrat në rrezik“, thuhet në analizë.
Probleme shkakton stresi psikik, zhurma dhe ndotja e ajrit
Vlerat e rekomanduara të tensionit normal të gjakut janë nga 120 deri në 130 për atë sistolik dhe nga 70 deri në 80 për atë diastolik. Çdo gjë që është 140/90 mm e më lartë konsiderohet si tension i lartë i gjakut. Sipas rekomandimeve të reja për diagnostikim, përveç shkaktarëve standard (ushqimi i kripur, obeziteti, konsumimi i alkoolit, pasiviteti), si shkaktarë sot njihen edhe ndotja e ajrit, zhurma, stresi dhe Covid-i i zgjatur.